TKOB, skena u përket edhe fëmijëve
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka zgjedhur të jetë edhe pranë të rinjve, jo vetëm tek artistët, por edhe te publiku. "Ne na interesojnë edhe të vegjlit, ata që kur të jenë rritur të jenë prej kohe frekuentues dhe shijues të artit të madh të Operës dhe Baletit", kjo është motoja e projektit më të ri që ka nisur TOB. Nën titullin "Të Vegjlit do të bëhen publiku ynë", nis organizimin edhe ngjarja e dytë e kalendarit të 2009-ës për TOB. "Galaja e fëmijëve premtues" është spektakli që do të mbledhë pranë vetes balerinët, instrumentistët dhe ansamblet e fëmijëve të Tiranës. Trupa "Spektër" do të sjellë pjesë koreografike nën drejtimit e mjeshtrit koreograf, Llaqi Nako, ndërkaq, pjesëmarrës në aktivitet do të jetë edhe kori i vogël dhe orkestra e harqeve e shkollës muzikore "Servete Maçi" drejtuar nga Mira Mio, si dhe prezantimi i aktorit Vilson Gjocaj do të jenë disa nga elementet përbërëse të kësaj mbrëmjeje kushtuar fëmijëve. "Edukimi muzikor serioz i dozuar me kujdes dhe pa mbingarkesa do të jetë një trajektore e përhershme e Teatrit të Operës. Pse jo, - mbas kësaj, në pushimet e ardhshme dimërore, të kemi mundësinë të realizojmë edhe shfaqje skenike enkas për fëmijë", komenton Zhani Ciko, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit.