E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, në sulm për Kristiano Ronaldon

Kushedi, ndoshta pas disa muajsh do të jetë një tjetër Ronaldo me bluzën e Interit, ai që do të bëjë dëshmitarin për "Pirelli"-n: pas Ronit brazilian, duket se do të vijë pikërisht Kristiano portugezi, të cilit të martën iu dha zyrtarisht "Topi i Artë". Por a do të jetë e mundur kjo? Ai që dha shkëndijat e para ishte menaxheri i prokurorit portugez, Horge Mendes, i cili është edhe agjenti i Hose Murinjos, që mund ta ndërmjetësojë këtë tratativë. Xhevahiri i Mançesterit mësohet se i ka rrëfyer menaxherit të tij, që është gati të ndryshojë bluzë dhe se uronte të stërvitej nga një trajner portugez. Pra nga kjo pikëpamje, trajneri i Interit do të ishte ideali. Disa kohë më parë ishte diskutuar për një kalim të mundshëm të Ronaldos në Milano, por këtë herë mundësia për t‘u realizuar duket më e madhe. Është e vërtetë që presidenti i pakursyer Masimo Morati ëndërron të marrë yje të tjerë, që vijnë ndoshta nga Argjentina, të tipit Aguero e Mesi. Talente që mund të mbajnë gjithmonë të ndezura ëndrrat e presidentit zikaltër. Por është e sigurt që një gjeni si Kristiano Ronaldo, i saposhpallur si lojtari më i mirë evropian nga ana e "France Football", është një personazh që tërheq vëmendjen e njerëzve të merkatos interiste. Kuptohet që një blerje e tillë do t‘i bënte entuziastë edhe drejtuesit e "Pirelli"-t, sponsorit të Interit, i gatshëm të investojë mbi imazhin e portugezit. Dhe kjo mund të jetë një shtytje më shumë në drejtim të një interesimi konkret. Atë që nuk e arriti Real Madridi në të kaluarën, mund ta arrijë vitin tjetër klubi zikaltër. Ata kanë mundësinë të gjejnë një marrëveshje me anglezët. Në atë kohë madrilenët kishin hedhur në pjatë një ofertë prej 80 milionë eurosh dhe është e vështirë të mendosh se mund të niset nga një shifër më e vogël. Në fund spanjollët hoqën dorë dhe Ronaldo mbeti te Red Devils. Mali me para për blerjen e "Topit të Artë" 2008 mund të mos jenë problem për Moratin, të ambientuar të hapë portofolin për të sjellë në shtëpi kampionë të nacionaliteteve të ndryshme. Pa bërë llogaritë se në një tratativë eventuale me Mançester Junajtid mund të përfshihen edhe disa emra të tjerë të njohur të organikës aktuale të zikaltërve. Mes tyre mund të përmenden si shembull emrat e Adrianos, apo Balotelit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›