Interes botëror për turizmin. Pastrim vendit
TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka përsëritur apelin drejtuar deputetëve të grupit parlamentar të PD-së për angazhim serioz në finalizimin me sukses të 20 prillit, si Dita e Shqipërisë së Pastër.
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Berisha ka deklaruar se vendin e pret një sezon turistik i shkëlqyer, pasi gjithandej ka të dhëna për një interes të madh botëror në rritje për të kaluar pushimet dhe për të vizituar Shqipërinë.
Cdo ditë në mediat më serioze të fushës ka shkrime e përshkrime të bukurive të rralla të shërbimeve të shkëlqyera, të mikpritjes së pashembullt, të pasurive të mëdha kulturore dhe historike që ofron Shqipëria. Gjithnjë e më shumë në epiqendër të mediave të interesuara për turizmin vijnë brigjet mahnitëse shqiptare, ujërat e Jonit, rërat e Adriatikut, por ky vit ka një specifikë se janë me dhjetëra e dhjetëra shkrime kushtuar Beratit, qytetit të kodikëve dhe kishave bizhu, të kanioneve dhe shërbimeve të mrekullueshme- tha ai.
Sipas tij, vendi ka shënuar arritje të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë dhe pas kësaj duhen masa serioze për pastrimin e tij.