E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jo PS për skafet. Mbajmë moratoriumin

Berisha në mbledhjen e Grupit të PD

TIRANË- Maxhoranca rrëzon nismen e PS-së për heqjen e moratoriumit të skafeve. Kreu i qeverisë, Sali Berisha e ka bërë publik qëndrimin kundër propozimit të opozitës, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, duke e cilësuar nismën absolutisht të papranueshme.

Kjo nismë është absolutisht e papranueshme, sepse vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut.  Do të ishte një damkosje për Vlorën, për zotimet për luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Kohërat e skafeve kanë marrë fund, ndaj edhe më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet- ka thënë Berisha.

Sipas tij, maxhoranca është e vendosur të mbajë moratoriumin, ndërkohë që ka theksuar argumenti që përdoret se me këtë kufizim dëmtohet turizmi është i pavërtetë.

Gjatë kohës që u mbyll skafizmi njohëm bumet më të mëdha, ndaj shprehem këtu se kjo nismë nuk mund të miratohet, se zotimi ynë është luftë ndaj krimit dhe përpjekje e ndershme së bashku me autoritetet italiane që të mos ndodhë eksport trafiku dhe kriminaliteti nga bregu shqiptar në atë italian- deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›