E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesant për titull

Njohësit e futbollit kosovar parashikojnë se edicioni i ri, i cili nis të shtunën, nuk do të jetë më cilësor se sezoni i kaluar. Mirëpo, sipas tyre, pretendimi i Vëllaznimit dhe Trepçës ’89 për të luftuar për titull të kampionit do ta bëjë më interesant rrjedhën e kampionatit. Ata besojnë se edhe lufta për mbijetesë do të jetë e nxehtë. Nga Valon Konushevci më 19 gusht 2011 në ora 11:27

Në këtë fundjavë do të nisë edicioni i ri i garave në Superligën e Kosovës në futboll. Sipas strategëve të futbollit kosovar, Vëllaznimi dhe Trepça ’89 janë shpresat e vetme, të cilat mund të ndikojnë që numri i shikuesve nëpër stadiume të rritet në dallim prej edicionit të kaluar.

Skuadra gjakovare dhe ajo mitrovicase kohëve të fundit janë riorganizuar mirë. Andaj, luftës së Hysit dhe Prishtinës për ta fituar titullin e kampionit sivjet do t’i bashkohen edhe kuqezinjtë e bardhegjelbrit.

Ndërsa, të gjitha skuadrat e tjera gjatë gjithë edicionit do të garojnë nën ethe në luftën e tyre për mbijetesë.

Kështu, njohësit e këtij sporti besojnë se kampionati i sivjetmë do të jetë më interesant në dallim prej vitit të kaluar. Por, ata theksojnë se kjo nuk do të thotë që do të ketë edhe rritje të cilësisë.

“Ky kampionat nuk do të jetë më i mirë për nga cilësia prej kampionatit të kaluar. Mirëpo, do të jetë kampionat më interesant, sepse Vëllaznimi dhe Trepça ’89 në njëfarë mënyre e kanë shpëtuar Superligën falë atyre investimeve të mëdha që i bënë”, thotë për Express strategu, Afrim Tovërlani.

Sipas tij, Vëllaznimi e Trepça ’89 do t’u bëjnë konkurrencë të fortë Hysit e Prishtinës, në luftë për titull të kampionit.

“Përveç Vëllaznimit e Trepçës ’89, edhe Prishtina e Hysi do të kontribuojnë në avancimin e luftës për titull të kampionit. Kurse, të gjitha skuadrat e tjera do të jenë të rrezikuara, dikush më pak e dikush më shumë”, thotë ai.

Tovërlani është i bindur se edhe sivjet kurdisjet e rezultateve të ndeshjeve do të paraqiten në futbollin e Kosovës. Sipas tij, kjo anomali sikurse viteve të kaluara, pritet të shfaqet pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit, atëherë kur çdo pikë është tepër e rëndësishme, sikurse për ekipet që do ta ndjekin titullin e kampionit, ashtu edhe për skuadrat që do të luftojnë për ekzistencë.

Në anën tjetër, strategu tjetër, Hysni Maxhuni shpjegon arsyet, sipas të cilave, kampionati i ri nuk pritet të jetë më interesant sesa ai i kaluari.

“Momenti i parë është se ekipet i kanë nisur me vonesë të madhe përgatitjet për stinorin e ri. Kurse, momenti i dytë është se shumë ekipe kanë angazhuar lojtarë të rinj, sepse situata ua ka diktuar këtë. Andaj, nuk besoj se do të kemi ngritje të cilësisë”, pohoi ai.

Edhe Maxhuni thotë se pretendimi i Vëllaznimit dhe Trepçës ’89 për ta fituar titullin e kampionit, për të cilin trofe do të luftojnë edhe Hysi e Prishtina, do ta bëjë më interesant këtë stinor. Mirëpo, ai e sheh edhe një ekip tjetër favorit për të luftuar për titull. “Trepça me këto përforcime nga Shqipëria mendoj se mund të luftojë për titull bashkë me Prishtinën, Hysin, Vëllaznimin e Trepçën ‘89”, vazhdoi ai. Sipas tij, e nxehtë pritet të jetë edhe lufta për mbijetesë.

Edhe një vit me Raiffeisenin

Raiffeisen Banka do të jetë sponsor i Superligës së Kosovës në futboll edhe për një vit. Marrëveshja në mes të palëve është arritur të enjten. Me këtë rast, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka falënderuar në emër të tij dhe të gjitha klubeve të futbollit për bashkëpunim, Raiffeisen Bankën.

“Ky është viti i katërt që po arrijmë të bashkëpunojmë me njërën nga bankat më prestigjioze, e cila na ka ndihmuar të veprojmë më lehtë, ndërsa klubet nga kjo marrëveshje për 4 vjet i kanë përfituar apo kursyer 320 mijë euro, të cilat nuk kanë paguar kuotizime. Te kjo bankë, kemi gjetur një mirëkuptim dhe partneritet të shëndoshë dhe nga ky vit edhe Liga e femrave do të quhet Raiffeisen Liga e femrave”, deklaroi Vokrri, i cili është i bindur se bashkëpunimi në mes të palëve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Ai njoftoi se nga ky vit, Raiffeisen Bank do ta sponsorizojë edhe ligën e femrave, e cila do të quhet Raiffeisen Liga e femrave. Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bankës për Kosovë, Roberty Wright, para mediave e ka shprehur kënaqësinë e tij që kjo bankë për katër vjet rresht po e sponsorizon futbollin kosovar dhe po e mbështet FFK-në. Ai beson se futbolli i Kosovës shumë shpejt do të bëhet pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›