Beqiraj, më afër Championsit

Ndër futbollistët shqiptarë, pjesëmarrës në fazën e barazhit të Ligës së Kampionëve, Fatos Beqiraj me Dinamo Zagrebin është më së afërmi të kualifikohet në fazën e grupeve. Kampioni kroat fitoi bindshëm të mërkurën mbrëma ndaj Malmos me rezultat 4:1. Andaj, ekipi i sulmuesit pejan, i cili u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe e realizoi golin e fundit në Maksimir, e sheh veten shumë afër kualifikimit.
Në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet në Swedbank Stadium, javën e ardhshme, Malmos i nevojitet të fitojë 3:0 për të ecur përpara, një mision ky thuajse i pamundur. Për këtë është i vetëdijshëm edhe sulmuesi i Malmos, Agon Mehmeti, i cili e realizoi golin e vetëm për kampionin suedez. Ai është i zhgënjyer me lojën që bëri ekipi suedez në lojën e parë, por thotë se në ndeshjen e kthimit mund të ndodhë gjithçka.
“Ua mundësuam atyre që ta kontrollojnë topin më shumë në pjesën e dytë. U dhamë liri dhe ata i shfrytëzuan rastet. Do të duhej të punonim më shumë, nuk e kam parë kurrë Malmon në këtë situatë”, deklaroi Mehmeti për uebfaqen sydsvenskan.se.
- “Thjesht duhet të besojmë në kualifikim. Askush nuk besonte te ne kundër Rangers. Mirëpo, e kemi demonstruar se kemi skuadër të mirë dhe që mund t’ia dalim. Do të jetë një lojë komplet e re. Ata do të mundohen ta ruajnë rezultatin, por duhet të reagojmë dhe të jemi gjithnjë në sulm”, vazhdoi sulmuesi llapjan.
Odense e Kadrit befason Villarrealin
Odense e Bashkim Kadrit po i befason të gjithë. Këtë radhë, ‘viktimë’ e klubit danez ishte skuadra e njohur spanjolle, Villarreal. Mesfushori ofanziv i ri shqiptar kontribuoi edhe në këtë takim, edhe pse nuk shënoi gol, në fitoren 1:0.
“Nuk mund ta arrinim një rezultat më të mirë. Kemi punuar fort dhe në fund ia dolëm. Por, lufta me Villarrealin nuk ka përfunduar ende, do të jetë vështirë në Spanjë”, deklaroi Kadri, i cili së fundmi debutoi me përfaqësuesen daneze.
Zurichu i Mehmedit e Nikçit, i pafuqishëm ndaj Bayernit
Bayern Munich është treguar i fortë ndaj Zurichut të Admir Mehmedit e Adrian Nikçit, të cilin e mposhti 2:0. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia ka luajtur gjatë tërë ndeshjes, ndërsa mesfushori pejan u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë.
Bastian Schweinsteiger e Arjen Robben kanë shënuar për skuadrën gjermane. Humbja në Allianz Arena ia shuan paksa shpresat për kualifikim nënkampionit zviceran, por gjithçka do të dihet pas një jave.