E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesat, kreditë e reja në lekë më të lira

17/11/2009  BSH: Tendenca lehtësuese për kriteret e kredidhënies në sistemin bankar

Kreditë deri në një vit kanë shkuar për plotësimin e nevojave likuide të bizneseve

Në tremujorin e tretë të vitit 2009 është regjistruar një tendencë lehtësuese për kriteret e kredidhënies në sistemin bankar. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë analizojnë në një raport të fundit se prirja pozitive e stabilizimit të ekonomisë në vend ka qenë faktor promovues për lehtësimin e tyre. “Bankat kanë promovuar kreditimin në monedhën vendase duke shmangur riskun e kursit të këmbimit. Ndryshe nga gjashtëmujori i parë 2009, në dy muajt e fundit të sezonit veror, kreditë në lekë kanë qenë më të lira”, - theksohet në analizë. Gjatë muajve korrik-gusht interesi mesatar i ponderuar për kreditë e reja në lekë ka shënuar vlerën mesatare 12.86 për qind, ose 0.79 pikë përqindjeje më poshtë se gjashtëmujori i parë i vitit 2009. Rënia e ndjeshme është ndikuar pjesërisht edhe nga kreditimi i klientëve të veçantë me terma preferencialë, ndërsa në nivel të përgjithshëm vihet re një ngushtim i marzhit ndaj interesave referencë. Aplikim i interesave më lehtësues vihet re për kreditë e reja afatshkurtra deri në 12 muaj, të cilat zënë dhe peshën më të madhe të kredisë së re e destinuar për plotësimin e nevojave likuide të bizneseve. Normat e interesit për kreditë në euro mesatarisht kanë ruajtur vlera relativisht të larta në muajt korrik e gusht. Norma mesatare e interesit të kredisë së re në euro në këtë periudhë ka rezultuar 7.96 për qind, ose 0.29 pikë përqindjeje më lart se gjashtëmujori i parë i 2009-s dhe 0.30 pikë përqindjeje më poshtë se një vit më parë. Pavarësisht rënies së interesave libor në euro dhe euribor në tregjet ndërkombëtare, lëvizja e interesave për kreditë e reja në euro ka qenë e lidhur me koston e fondeve në këtë monedhë në tregun vendas dhe politikat shtrënguese të bankave për kreditimin në valutë. Kostoja e ndërmjetësimit në lekë ka ardhur në ulje në muajin gusht 2009. Ky tregues për lekun rezulton 7.11 pikë përqindjeje, nga 8.27 pikë përqindje në gjashtëmujorin e parë. Norma mesatare e ndërmjetësimit për monedhën evropiane është rritur ndjeshëm në korrik dhe u ul sërish në gusht. Në vlerë mesatare, ajo ka shënuar 5.77 pikë përqindjeje, 0.73 pikë përqindjeje më shumë se niveli mesatar në gjashtëmujorin e parë 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›