E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bernanke: Ende sfida ekonomike për SHBA-në

Drejtori i Bankës qëndrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës parashikon një zhvillim të moderuar të ekonomisë amerikane, ndërkohë që inflacioni do të mbahet nën kontroll.
Në një fjalim të mbajtur sot në New York, drejtori i Rezervës Federale, Ben Bernanke, paralajmëroi se ekzistojnë ende sfida ekonomike, përfshirë edhe vështirësi në dhënien e kredive dhe papunësi që ai e përshkroi si shumë të lartë.
Gjithashtu Bernanke nuk la të kuptohej nëse Rezerva Federale do të ngrejë shkallën e interesit së shpejti nga nivelet gati historikisht të ulëta. Interesi i ulët synon t'i japë shtytje ekonomisë duke e bërë më të lehtë për kompanitë që të marrin hua për të blerë pajisje, për të ndërtuar fabrika dhe për të punësuar njerëz.
Por shkalla e ulët e interesit ka gjithashtu prirjen që të ulë vlerën e dollarit.
Bernanke u përpoq të siguronte investitorët se nuk do ta harrojë rëndësinë e fuqisë së dollarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›