E Shtunë, 31 Tetor 2026

SMS-ja që zbuloi strehimin e të shumëkërkuarit Alket Rizai

17/11/2009  Rizai u arrestua në mëngjes së bashku me të dashurën dhe 2 persona të tjerë

GREQI- Alket Rizai, njeriu që në mënyrë hollivudiane mundi të arratiset dy herë nga burgu i sigurisë së lartë në Greqi, është arrestuar mëngjesin e ditës së djeshme në fshatin Ano Shuli, që ndodhet në zonën e Maratonës. Hyrja e forcave speciale në banesë ka qenë e papritur për shqiptarin Rizai, i cili në ato momente ishte duke fjetur së bashku me të dashurën e tij rumune. Shërbimet sekrete si dhe policia helene kishin arritur të kapnin një sms të drejtuar në një numër, i cili prej kohësh mbahej në përgjim. Teksti i mesazhit përmbante disa fjali urimi, ku një shtetas falënderonte Alket Rizain për dhuratën, që ky i fundit i kishte bërë për ditëlindje. Kaq ka mjaftuar që agjentët e policisë helene nëpërmjet valëve të celularit të lokalizojnë vendndodhjen e objektivit të tyre, i cili për dy herë radhazi ka mundur t’ia “lërë targën” duke u arratisur me helikopter nga burgu. Frika se mos kishte rrjedhje informacioni, ka detyruar Drejtorin e përgjithshëm të Policisë helene, që operacionin për arrestimin e 36-vjeçarit Rizai t’ia besojë numrit dy të policisë greke. I shoqëruar edhe me 25 policë të forcave speciale, zv/drejtori i policisë greke ka mundur të dredhojë banesën ku strehohej i shumëkërkuari shqiptar. Në orët e para të mëngjesin, trupat speciale kanë marrë “ok” për të hyrë në banesë, veprim ky që është kryer me sukses, duke mundësuar prangosjen e Alket Rizait si dhe tre bashkëpunëtorëve të tij. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se banesa ku strehohej Rizai, ishte marrë me qira dhe në të së bashku me të shumëkërkuarin banonte e dashura e tij rumune dhe dy shqiptarë të tjerë. Rumunia ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në dy arratisjet e shqiptarit nga burgu, e cila nëpërmjet helikopterëve që merrte me qira ka mundësuar arratisjet spektakolare të 36-vjeçarit Rizai dhe shokut të tij grek, Vasilis Paleokostas. Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës, forcat speciale kanë gjetur një arsenal të tërë armatimi, i cili për fatin e mirë të tyre nuk u vu në punë nga Alket Rizai. Gjithashtu në banesë, policia sekuestroi edhe një sasi të madhe eurosh, e cila mendohet se është produkt i veprimtarisë kriminale të shqiptarit, duke filluar nga shitja e drogës e deri tek dyshimet për gjobëvëniet e ndryshme. Arrestimi i shqiptarit ishte kthyer në një nga prioritetet kryesore të policisë helene, pasi nga dy arratisjet e tij spektakolare, ishte zbehur ndjeshëm morali i forcave të policisë helene.

Plani me helikopter

Dy arratisjet spektakolare nga burgu i Koridhalosit

Alket Rizai, i cili vuante dënimin për vrasje në burgun e sigurisë së lartë Koridhalosit të Athinës arriti të arratisej në mënyrë spektakolare me një helikopter së bashku Vasilis Paliokostas, të dënuar për grabitje banke. Arratisja ndodhi më 22 shkurt 2009 dhe shkaktoi furtunë në administratën e burgjeve. 43-vjeçari Vasilis Paliokostas një prej krimineleve më të njohur në Greqi ende nuk është arrestuar. Për ngjarjen e ndodhur, gjykata dënoi me burg dy nga pesë gardianët e burgut Koridhalos të Athinës. Shefi i gardianëve u dënua me tre vite burg dhe gardiani i shërbimit me gjashtë muaj burg. Ndërkohë në qershor të 2006 Rizai dhe Paleokostas, janë arratisur sërish nga burgu i Koridhalosit. Helikopteri që ishte ulur në ambientet e burgut arriti të mashtronte rojet, të cilët mendonin se kishte ardhur një inspektor i burgjeve. Me ndihmën e gazlotsjellësit të dy arritën të largoheshin të qetë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›