Tatimi i sheshtë, e “dhjeta” që varfëroi shqiptarët
Në vend të prologut
Lajmi i mirë ngrohu gjymtyrët e ftohta të dheut që quhet shtet. Qeveria kishte vendosur “taksën e sheshtë”. Ishte 20%, bëhej 10%. Rrafsh fare, siç e kishte emrin! U ngjirën boritë. Veç ministri Bode dukej i mbërthyer në dilemën hamletiane: të gëzohej për uljen e taksave të popullit apo të vriste mendjen si të kompensonte buxhetin. Kjo ishte çështja!
Jemi në përvjetorin e dytë të zbatimit të “taksës së sheshtë” dhe mund të bëhet bilanci. Më 2007 ose vitin e parë të zbatimit të tatimit të sheshtë mbi pagat, u arkëtuan në buxhet rreth 15 miliardë lekë, nga 8,5 në krahasim me një vit me parë. Më 2008, mbi 24 miliardë, sa 3 herë kundrejt vitit para zbatimit të saj. Një ritëm i paparë vit pas viti: përkatësisht, 73% dhe 64%. Asnjë zë tjetër i të ardhurave të buxhetit asnjëherë nuk ka provuar këtë trend. Vitin në vazhdim pritet të arkëtohen mbi 26 miliardë lekë tatime mbi pagën.
Daullet binin për ulje taksash, kurse grafiku i të ardhurave prej tyre ngrihej më lart se shtylla e Aleksandrit! ǒishte kjo mrekulli, ndonjë nga ato që prekin botën një herë në dymijë vjet?
Një nënqeshje enigmatike s’i ndahej ministrit Bode, gjithandej: në parlament, në takime, tribuna. Por...
...djalli fshihej në detaje
Kurioziteti i taksës së sheshtë u fashit shpejt, sapo njerëzit hodhën firmën e parë në bordero. Biznesi, kur vijoi të paguajë të njëjtin detyrim për tatim-fitimin. Rritja e të ardhurave të buxhetit nuk kishte lidhje me zgjerimin e bazës së tatimpaguesve apo të performancës së administratës tatimore.
Shkalla e tatimit mbi pagën nuk ishte ulur. Përkundrazi, ishte rritur. Mashtrimi ishte neto.
Para aplikimit të reformës zbatohej një shkallë tatimore progresive me rritjen e nivelit të pagës. Pagat nën pragun prej 14 mijë lekësh nuk tatoheshin fare. Në përputhje me këtë shkallë tatimore, paga 30 mijë lekë (mesatare) taksohej me 800 lekë, ose 2.6%. Nga paga 40 mijë lekë buxheti merrte 1300 lekë: shkalla e tatimit 3.25%. Punonjësit me pagë 50 mijë lekë i mbaheshin 2300 lekë ose 4.6%. Një pagë 90 mijë lekë (e lart), taksohej me 6300 lekë, 7%. Vini re, të gjitha këto nivele pagash, që përbëjnë bazën dërrmuese të listës së pagave publike apo të biznesit privat, taksoheshin shumë më pak se 10%. Vetëm kush merrte 150 mijë lekë paguante 15.300 lekë, me shkallë tatimi rreth 10%.
Në aplikimin e tatimit të sheshtë, shkalla është proporcionale: 10%. Në këtë rast, vetëm një nivel page, i barabartë me 30 mijë lekë, paguan rreth 10%. Ama, tatimi që mbahet në këtë rast është 2000 lekë, sa 2.5 herë më tepër se në praktikën me shkallëzim progresiv. Kështu, punonjësi me pagë 40 mijë lekë i paguan buxhetit 4000 lekë tatim ose tri herë më shumë.
Sa e thjeshtë kjo taksë e sheshtë, sa e lehtë në llogaritje! Sa transparente. Pale, sa hollë që pret!
Kjo është tabloja në sektorin publik, sepse reformën tatimore mbi pagat në biznesin privat do ta kishte zili edhe Komisioni i Planit të Shtetit. Një matricë pagash sipas degëve dhe sektorëve kyç të ekonomisë, e ka mbërthyer procesin në shtratin e prokrustit. Shkalla e tatimit është 10%, por niveli bazë i pagës është fiksuar me vendim qeverie. Biznesi nuk mund të raportojë paga nën një nivel të caktuar, i cili nuk ka të bëjë me kufirin minimal në shkallë vendi prej 16 mijë lekësh. Sikur të mos mjaftonte kjo, qeveria është kujdesur të përcaktojë një numër punonjësish, të detyrueshëm për çdo subjekt të biznesit privat.
E ndërtuar në këtë mënyrë, e ashtuquajtura reformë tatimore nuk ka sjellë ndonjë përmirësim në kostot e punës. Përkundrazi, ato janë rritur edhe në rrethanat e ndonjë ndryshimi të raporteve të sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi. Rritja me 21% e të ardhurave nga sigurimet shoqërore, në krahasim me vitin 2006, përkthehet kosto për biznesin. Së pari, për shkak të rritjes së stimuluar të nivelit të pagës, mbi të cilën llogariten sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat aktualisht përbëjnë rreth 17% të kostos së punës. Para aplikimit të taksës së sheshtë bizneset raportonin, kryesisht, një pagë që nuk e tejkalonte bazën prej 14 mijë lekësh. Sot nivelet e pagës bazë janë disa herë më të larta.
Së dyti, sepse diferenca e tatimit, të llogaritur përmbi nivelin e pagës reale, merret përsipër si kosto e biznesit.
Reformë apo kapitullim?
ǒpërfitoi realisht biznesi nga përgjysmimi i shkallës së tatim-fitimit? Pavarësisht uljes së tarifës, shumica e bizneseve vazhdojnë të paguajnë si më parë. Në vitin 2007, sipas të dhënave zyrtare, shuma e tatim-fitimit në buxhet ka zbritur vetëm 5%; në 2008, 14%. Edhe pas të ashtuquajturës reformë, tatim-fitimi vazhdon të paguhet paradhënie, sipas një shume që caktohet apriori nga administrata tatimore. Mbivendosi kësaj praktike abuzimin me rimbursimin e tatim-fitimit në fund të vitit, për të besuar si u nxihet jeta bizneseve pa përkrahje. Imponimi nuk mund të frymëzojë reforma, por klientelizëm dhe informalitet.
Shihni mekanizmin e zgjedhur për të kuptuar përmbajtjen e reformës tatimore. Biznesi deformon bilancet, administrata “hakmerret” duke caktuar apriori detyrimet tatimore. Kështu edhe etatizmi maskohet me gjethe fiku, në emër të luftës kundër evazionit fiskal. Në këtë lojë pa një pikë graviteti, shihet normale që edhe kryeministri të vendosë në krye të administratës tatimore një punonjës të SHIK, që vetëm për profesionalizëm nuk shquhet.
Mishin babai, kockat këlyshi
ǒm’u kujtuan tani këto vargje të hershme të Dritëroit për babanë e teqesë? Mishin babai, kockat këlyshi! Sepse flitet për masa sociale, por shkalla e tatimit, duke qenë proporcionale, godet pa mëshirë çdo njësi të pagës: qofshin këto të ulëta, mesatare, apo të larta. 10% paguan për buxhetin edhe ai që merr ushqimet me listë, edhe ai që lahet në vaskë floriri. E “dhjeta” prek njëlloj, si të ardhurat bruto nga paga, që nuk mund të fshihen; si fitimet neto, të maskuar midis zërave të bilancit.
Asnjëherë “piramidat e kufirit” midis së djathtës dhe së majtës në këto vite tranzicioni nuk kanë qenë më të dukshme. Në qoftë hapja e gërshërës midis pasurisë dhe varfërisë politike sociale, atëherë aferim!
Është normale që një qeveri e djathtë të ndërmarrë reforma të djathta, si dhe të kërkojë të votohet për t’i zbatuar ato. Të ketë prioritet të politikës së saj uljen e taksave të biznesit, pasi politikat sociale janë përparësi e së majtës. Amorale në këtë rast është mashtrimi i opinionit publik. Ka dy vjet që PD trumbeton se ka ulur tatimin mbi pagat, duke u fshehur pas shkallës së tatimit mbi fitimin. Amorale janë “bathoret” e shumta të saj, kur “çakërpolitika” pretendon të kënaqë njëkohësisht pronarët, si dhe ata që kanë pushtuar pronat e tyre.
Ishte momenti që Shqipëria e varfër të përgjysmonte shkallën e tatim-fitimit? Si u bënë llogaritë? Kush do ta kompensonte buxhetin, të ardhurat nga tatimet mbi pagën e punonjësve? Të mos kapemi pas teorive të mëdha jashtë kushteve reale. Biznesi privat investon, hap vende pune, por investime bën edhe shteti, edhe ai punëson në infrastrukturën publike, që është aq deficitare. Apo nuk është e vërtetë? Nuk ka takim elektoral që reklama me segmentin e rrugës Durrës-Kukës të mos shoqërohet nga lajtmotivi i taksës së sheshtë. Domosdo, shkojnë bashkë, sepse 65 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) taksa mbi pagat (jo mbi tatim-fitimet) të arkëtuara këto tre vjet (2007, 2008, 2009) mjaftojnë për të mbuluar gjysmën e kostos së përfolur të segmentit Rrëshen-Kalimash.
Buzëqeshja enigmatike s’i ndahet “arkitektit” të taksës së rrafshët. Mbase, i kujtohet nënteksti pezhorativo-erotik që bart kjo folje.