Interesim i madh për yjet e Baselit

Kampioni aktual i Zvicrës, Basel, që nga janari mund të mbetet pa dyshen shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Yjet e këtij ekipi janë bërë shënjestër e shumë skuadrave të njohura evropiane, kështu që Baseli frikësohet se mund të mbetet pa lojtarët e rëndësishëm, në pjesën pranverore të sezonit.
Manchester United dhe Liverpool janë të interesuar për Shaqirin. Talenti i Baselit, me paraqitjet e tij në dy sezonet e fundit, është bërë objektiv i skuadrave të ndryshme evropiane, përfshirë këtu edhe dy rivalët dhe gjigantët britanikë.
“Manchester United i është bashkuar rivalit Liverpool për superyllin e Zvicrës, ‘Messin e ardhshëm’. Liverpooli e vështron atë që nga koha kur Roy Hodgson ishte trajner. Po ashtu drejtori i klubit, Damien Comolli, e ka vëzhguar nga afër disa herë”, shkruan tabloidi britanik Daily Mirror.
Shaqiri ka rënë në radar të ‘Djajve të Kuq’, pas lëndimeve të shpeshta në këtë klub këtë sezon. Mesfushorët Darren Fletcher, Anderson e Tom Cleverley kanë përfunduar jashtë fushës, ndërsa futbollisti nga Gjilani konsiderohet si lojtari ideal për t’i mbuluar mungesat.
Po ashtu menaxheri Sir Alex Ferguson e sheh Shaqirin si pasardhës të duhur të veteranit Ryan Giggs, i cili pritet ta lë futbollin në fund të këtij sezoni. Siç dihet, Shaqiri ishte njëri prej lojtarëve që e ndihmoi Baselin që ta eliminonte pikërisht Manchester Unitedin nga Liga e Kampionëve ditë më parë.
Ndërkohë, sipas mediave zvicerane, respektivisht uebfaqes 4-4-2.com, 19 vjeçari Xhaka mund të transferohet në Hamburg gjatë janarit. Ai pëlqehet nga trajneri i klubit gjerman, Thorsten Fink, me të cilin kishte punuar deri sivjet tek Baseli.
Klubi zviceran frikësohet se mund të mbetet pa dy xhevahirët e vetë, të cilët e ndihmuan që të kualifikohet në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve dhe në kampionatin zviceran.