E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi akuzon: Komplot kundër nesh

Zikaltërit konfirmojnë në kor fjalët e Murinjos: Nuk duan që ne të fitojmë
Fitore, e çfarë fitoreje: një 2-0 që vlen sa 4-0 e ndeshjes së parë, për të mos thënë më shumë. Krenaria që të bën t’i biesh gjoksit: mjafton të shikosh imazhet e Murinjos në minutat e fundit të Inter-Milan, kur me duar dhe me grushte u kërkon tifozëve, duke u bërë thirrje atyre të mbështesin ekipin, në një klimë të tensionuar që ka dominuar gjithë javën, dhe mund të kuptohet mirë që mbrëmja e “San Siros” do të mbetet e paharrueshme për të gjithë interistët. çfarë mbrëmjeje. Do të lërë gjurmë. Te Rivalët e Interit mbi të gjitha: Zikaltërit në kampionat është thuajse e pamundur t’i mposhtësh. Te Milani, sigurisht: një 0-6 në total në dy derbe nuk ka precedentë. Por edhe Interi nuk do të jetë më i njëjti, dhe jo për motive të lidhura ngushtë me futbollin. Interi, pas arbitrimit të Rokit, ka vendosur të kalojë në sulm. Edhe Morati duket i bindur se për të ndërtuar strategjitë e skuadrës, do të duhet të luajnë në mbrojtje dhe në sulm. Ndoshta drejt kësaj ideje është shtyrë nga Murinjo, që pas ndeshjes ka vendosur linjën që duhet ndjekur, së bashku me Paolilon. Por këtë herë Morati i tejkalon fjalët e trajnerit të tij. Interi shikon gjëra të çuditshme përreth dhe vendos t’i denoncojë. Dyshimi i zikaltërve është që Milani, pra Galiani, është rikthyer të jetë shumë influent në Ligën e Futbollit dhe jo vetëm aty, por edhe në fushën e arbitrazhit. Kështu shpjegojnë fjalët e Moratit duke dalë nga “San Siro”, edhe pse në një natë feste absolute për skuadrën e tij: “Pa dyshim kam parë sinjale të këqija. Nëse bëhet fjalë vërtet për sinjale, janë shumë antipatike dhe që kuptohen thjesht. Gjyqtarët gabuan, u pa që në tribunë që nuk isha i qetë dhe nuk jam akoma”. Ky është një version shumë i butë, pasi nga pamjet televizive në momentin e kartonit të kuq të Shanjderit u pa që Morati e shau ashpër Rokin. Pjesa e dytë e sulmit bëhet nga administratori Ernesto Paolilo: “Ishte një derbi emocionues dhe fantastik si për rezultatin ashtu dhe për atmosferën, por mbi të gjitha për vullnetin për të fituar edhe pse ishim të vetëm kundër të gjithëve. Gjyqtari ka gabuar shumë dhe jo pa qëllim”. Pastaj sulmi frontal vjen nga Murinjo: “Nuk duan të na lënë ta fitojmë kampionatin. Megjithatë duhet të jeni të sigurt, që ne atë ndeshje do ta fitonim edhe sikur gjyqtari të na kishte lënë me 7 lojtarë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›