Juve e pavendosur, Gus Hidink ose Trapatoni për stolin
Bardhezinjtë rrisin në 5 milionë euro ofertën për holandezin
Ferrara në prag shkarkimi, gati mbledhja e drejtuesve
Juventusi ka rifilluar përgatitjet në Vinovo, në prag të sfidës me Interin në Kupën e Italisë, që do të luhet të enjten në stadiumin “Meaca”. I pranishëm ishte edhe çiro Ferrara, megjithëse situata nuk ka ndryshuar: pas humbjes së të shtunës me Romën, e ardhmja e tij është më në dyshim se asnjëherë tjetër. Janë të shumtë ata që mendojnë se trajneri i ardhshëm që do të shkarkohet në Serinë A është pikërisht drejtuesi i stolit bardhezi. Nga Rusia vijnë zëra se drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” janë ende të interesuar për Gus Hidink. Sipas lajmeve më të fundit, Juventusi e ka rritur ofertën për teknikun holandez dhe janë të gatshëm t’i paguajnë 5 milionë euro rrogë në sezon (oferta fillestare ishte 3.5 milionë euro), të cilave u shtohen edhe shpërblime për objektivat e arritur. Hidink me eksperiencën e tij do të ishte zgjedhja ideale për krizën që po kalon skuadra. Megjithatë, “tulipani” nuk është kandidati i vetëm në listën e përgatitur nga klubi. Në fakt, gjatë orëve të fundit po qarkullon edhe një emër i madh i së kaluarës së bardhezinjve: bëhet fjalë për Xhovani Trapatonin, një tjetër trajner me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare.
Në të vërtetë, deri më tani janë përfolur vetëm emra, e nuk ka asgjë konkrete. Synimi kryesor është gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë, sipas kërkesës së aksionistit kryesor, Xhon Elkan. Alternativat janë të shumta, nga Hidink e Trapatoni, për të vazhduar me Vialin, Xhentilen, Benitez apo edhe Arrigo Sakin. Problemi kryesor është nëse duhet përdorur strategjia e përdorimit të një tekniku “provizor” deri në fund të sezonit, apo që projekti të fillohet nga e para. Zgjidhja duhet të jetë e studiuar, pasi në lojë është kualifikimi në Champions, që me ecurinë aktuale mund të shndërrohet në mirazh. Megjithatë, ekziston edhe rreziku i rrëshqitjes në zonën e rënies nga kategoria. Sipas burimeve pranë Juventusit, hipoteza më e mundshme mbetet ajo e Hidink: “Trajneri holandez është opsioni më realist”. Por, nuk mungojnë as emra të tjerë, që gjithsesi duken më pak të mundur si Skolari, Van Basten apo Huande Ramos.
Lamtumira e Ferrarës është fare pranë dhe ajo mund të vendoset prej së enjtes, në përballjen me Interin. Rezultati në këtë sfidë është vendimtar, edhe sepse Kupa e Italisë mbetet trofeu i vetëm për të cilin bardhezinjtë mund të luftojnë për ta fituar. Ndërkohë, problemet e trajnerit janë shtuar pas dëmtimit të Klaudio Markizios, i cili ka probleme muskulore në kofshën e djathtë. Pasi i është nënshtruar rezonancës magnetike, mesfushori mësoi se ka një tërheqje të shkallës së parë dhe duhet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën 20 ditë. Në stërvitjen e djeshme nuk kanë marrë pjesë as Del Piero, Amauri, De çelje dhe Zebina, të cilët kanë qëndruar në “bokse” me grip.
#