Interi dhe Reali ‘detyra’ shtëpie në Champions
Leonardo beson se Interi do të reagojë pas humbjes në derbin e të shtunës, për të shfaqur një performancë të mirë në përballjen e ‘Champions League’ kundër Shalkes. “Ende jemi në garë për gjithçka, gjërat nuk kanë ndryshuar pas vetëm një humbjeje. Tani kemi një ndeshje tjetër dhe ne gjithmonë kemi reaguar kur kemi humbur. Do të jetë njësoj edhe këtë herë”, u ka thënë Leonardo gazetarëve. Më pas, trajneri brazilian fillon të zbërthejë kundërshtarin e Interit. “Shalke ka luajtur në Champions kundër skuadrave të rëndësishme, dhe, ndonëse në kampionat nuk ka pasur vijimësinë e shfaqur në Europë, është një formacion i frikshëm që po kalon një moment të mirë. Ka entuziazëm dhe ka arritur një nivel të kënaqshëm. Nuk kanë ardhur rastësisht në çerekfinale”, komenton Leonardo, që më pas jep mendimin e tij dhe në lidhje me Raulin, sulmuesin-rekordmen në Kupat e Europës. “Është një nga ata lojtarë me një histori të pabesueshme. Zgjedhja e tij për të ndryshuar kampionatin pas kaq sezonesh te Real Madridi, ka qenë një zgjedhje e guximshme, një sfidë e pabesueshme e përballuar me entuziazëm. Është simboli i ecurisë së Shalkes”.
Murinjo: Totenhemi ta harrojë kualifikimin
Zhoze Murinjo ka përjashtuar çdo mundësi që Totenhemi ta mposhtë Real Madridin në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Tekniku portugez është tërësisht i bindur në kualifikim. “Unë kam respekt të madh për Totenhemin dhe për atë që ka arritur këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Natyrisht, ata kanë të drejtë të ndihen krenarë për sukseset, por a mendoj unë se ata do ta mposhtin Realin? Jo. Është mendimi im se ne jemi ekipi më i mirë dhe jam i bindur se do të kualifikohemi pas dy ndeshjeve”, u shpreh Mou. Të njëjtën linjë ka mbajtur edhe sulmuesi togolez i madrilenëve, Emanuel Adebajor, një që është i rrahur me vaj e me uthull me Totenhemin, veçanërisht në derbin me Arsenalin e tij. Sulmuesi i Real Madridit, thotë se nuk ka asnjë arsye që të kenë frikë nga Totenhemi. Reali pret Totenhemin në “Santiago Bernabeu” për ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, vetëm disa ditë pasi u mposht me rezultat minimal nga Sporting Gijon në kampionatin spanjoll. “Ne duhet të besojmë te vetja, nëse kemi frikë nuk mund të luajmë lojën tonë. Ne do të japim gjithçka kundër Totenhemit, nuk duhet të kemi frikë. Mendoj se ky ekip dhe ky trajner mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve”, ka thënë Adebajor, duke iu referuar Realit dhe Murinjos. Portugezi e mbyll mendimin e tij duke lavdëruar menaxherin e Totenhemit, Herri Redknap. “Ai është një trajner mjaft i mirë. Jepini atij cilëndo skuadër që doni dhe ai do t’ju befasojë. Nuk ka limite për të”.
Champions League
Sot
Inter – Shalke 20:45
Stadiumi: San Siro, Milano
Real – Totenhem 20:45
Stadiumi: Santiago Bernabeu, Madrid
Nesër
Barcelona Shakhtar 20:45
Stadiumi: Camp Nou, Barcelonë
Çelsi – Mançester 20:45
Stadiumi: Stanford Bridge, Londër