E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takime tek “Ali Demi”, Basha premton rikthimin e kinemasë

TIRANË Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, ka premtuar dje se do të zhvillojë lagjet e do të rikthejë kinemanë. Në takimet që ai zhvilloi me banorë të lagjes “Ali Demi”, Basha vërejti se lagja e vjetër e Tiranës ka mbetur e pazhvilluar. Pronarët e vjetër të kësaj zone i kërkuan Bashës zhvillimin e pronave të tyre. Nga ana e tij, Basha u premtoi banorëve se kjo gjë do të ndodhë kur ai të jetë në krye të Bashkisë, pasi është pjesë e rëndësishme e programit të tij për kryeqytetin. “Jemi pronarë, por s’kemi gjë. I kemi dokumentet që në kohën e turkut. Nuk merret vesh se kush ia ka vënë syrin dhe kujt do t’ia japë dhe më thonin se kush ta ka hipotekuar. Kështu më thoshte ai sekretari i Ramës”, - tha një banore gjatë takimit me Bashën. Gjithashtu, mungesa e infrastrukturës është një shqetësim i vazhdueshëm për jetën e banorëve të Ali Demit. “Asnjëherë nuk kemi parë investime në lagjen tonë. Këtu një shi bie, bëhet baltë e madhe. Faleminderit që erdhët dhe që e patë vetë. Ajo që patë para, ishte vetëm fasada. Shiko këtej. Për 15 vjet nuk është vënë dorë fare”, - u shpreh një banor. Taksat e larta ishin një tjetër shqetësim për biznesin e vogël. “Taksat e gjelbërimit dhe pastrimit janë shumë të larta dhe këtu para meje është mbjellë vetëm një pemë dhe nuk shikoj asnjë metër gjelbërim, vetëm pllaka betoni. Vetëm vjet, taksa e gjelbërimit më ka ardhur 150 mijë lekë”, - i tha Bashës një pronar dyqani i ‘Ali Demit’. “Jam shumë i bindur që ju do t’i realizoni premtimet tuaja, vetëm i lutem zotit që të më japë jetë që të arrij 8 majin”, - uroi një banor që takoi Bashën. Lulzim Basha i siguroi banorët se ka në projektin e tij për Tiranën zhvillimin dhe rigjenerimin e lagjeve në brendësi të tyre. “Kisha 21 vjet pa e parë djalin. Ju falënderoj shumë që bëtë sakrifica, që ika pa vizë dhe takova çunin. Kisha që në 90-ën që nuk e kisha parë”, - i tha Bashës një e moshuar. Kjo lagje ka pasur si simbol të saj, kinema ‘Ali Demin’, një nga më të vjetrat në Tiranë, që prej vitesh është braktisur krejtësisht. Lulzim Basha u premtoi dje banorëve se do ta rikthejë Kinema ‘Ali Demin’.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›