Interi fiton me 117 milionë euro ndaj Romës
Një diferencë prej 117 milionë eurosh. Ky është hendeku financiar që ndan Interin me Romën, dy skuadra që do të diskutojnë midis tyre jo vetëm supersfidën e 31-të Serisë A, por edhe betëjën për titull në kampionatin italian. Vlera e lojtarëve të Interit shkon në 354 milionë euro, qartësisht më të paguarit e Serisë A, ndërkohë që Roma ndalet në kuotën e 237 milionë eurove, duke pasur grupin e katërt më të paguar në Itali. Juventusi është i dyti me 266 milionë euro pagesa dhe Milani i treti me 259 milionë euro. Duke kaluar në pagesat ndaj lojtarëve të veçantë, vihet re që midis dy top-lojtarëve më të paguar të skuadrave respektive nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Te Interi, Samuel Eto’o vlerësohet te 40 milionë euro, ndërkohë që te Roma, De Rosi, është diku te 38 milionë euro. Diferenca midis dy skuadrave fillon e të distancohet te lojtarët e nivelit të dytë: Maikon i Interit shkon te 30 milionë euro, ndërkohë që Mekses i Romës në kuotën 20 milionë euro. Mbi këtë shifër të Romës, te Interi janë Shnejder, Kambiaso, Hulio Cesar dhe Milito. Në shumën mbi 10 milionë euro në vit janë 15 lojtarë te Interi dhe dhjetë për Romën. Formacioni i Hoze Murinjos “fiton” financiarisht edhe betejën e eurove, duke qenë “mbretëresha” e parasë. Roma-Inter do të thotë shumë për kursin drejt titullit të Serisë A, sidomos për skuadrën e Ranierit. Në rast fitoreje të Romës, atëherë verdhekuqtë romanë do të vazhdojnë ëndrrën e tyre për titull, përndryshe çdo rezultat tjetër do të minimizonte shpresat për të qenë ajo kampione e Italisë. Interi po dominon prej pesë sezonesh kampionatin italian, ndërsa Murinjo është në prag të fitimi të titullit të tij të dytë në Serinë A në po aq kampionate qysh kur portugezi ka mbërritur në Itali.
27 Mars 2010