E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi–Skënderbeu, ose “Taçi Oil”-“Red Bull”



Skënderbeu do të përballet në Ersekë me Gramozin vendas në javën e 25-të, në një ndeshje të konsideruar “për jetë a vdekje” në betejën për mbijetesë në Kategorinë Superiore midis dy skuadrave të ardhura nga Kategoria e Parë e që renditen pas 24 javësh në dy vendet e fundit të Superligës. Në fakt, Gramozi-Skënderbeu mund të konsiderohet edhe një sfidë midis dy kompanive të gjigante, “Taçi Oil International” që financon kolonjarët dhe “Red Bull”-it që financon korçarët. Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve respektive; Skënderbeu pas triumfit 4-3 ndaj Dinamos në Korçë dhe Gramozi ndaj Teutës (2-0) në Durrës, njëherësh edhe fitorja e vetme e kolonjarëve në 13 ndeshje në transfertë.
Skënderbeu është skuadra e momentit me një seri prej katër fitoresh resht, ku spikat triumfi ndaj tre skuadrave që renditen në vendet 1-5 (Dinamo, Besa dhe Shkumbini). Në fazën e parë, Skënderbeu arriti një fitore të bujshme 4-1 ndaj Gramozit në Korçë, në një ndeshje të shoqëruar nga një tension jo i vogël në shkallët e tribunave për shkak të banderolave fyese të tifozerisë korçare ndaj fqinjëve të tyre. Në përballjen e dytë sezonale, takimi u zhvillua pa praninë e shikuesve në Ersekë, Gramozi fitoi me rezultatin e pastër 2-0. Gjithsesi, pas 24 javësh të luajtura dy rivalët e përjetshëm ndajnë një diferencë prej +5 pikësh në favor të Skënderbeut. Skënderbeu është shndërruar në një makinë golash, ku vetëm në katër fitoret e fundit ka shënuar 10 gola, kundrejt 3 golave të Gramozit në po aq ndeshje. Skuadra kolonjare në ndeshjen e fundit të zhvilluar në shtëpi barazoi 1-1 me Vllazninë, ndërkohë që Skënderbeu në takimin e fundit të luajtur transfertë fitoi 2-1 me Besën në Kavajë, njëherësh edhe fitorja e vetme e formacionit të Mirel Josës, trajnerit të tretë sezonal të korçarëve pas Gerti Haxhiut dhe Andrea Markos.

Dinamo luan me nderin

E eliminuar në Kupën e Shqipërisë (nga Shkumbini) dhe e mundur në Korçë nga Skënderbeu fundjavën e kaluar në kampionat, Dinamo synon ndaj Kastriotit të rikuperojë nderin e humbur të liderit absolut të Kategorisë Superiore. 17 pikë diferencë ndaj Besës së vendit të dytë (40 pikë), i kanë dhënë kampionëve të pashpallur të Superligës luksin për të administruar me qetësi fundsezonin, ku të paktën në javën e fundit pesë skuadrat e pjesës së sipërme të tabelës humbën: Dinamo me Skënderbeun (4-3), Besa me Kastriotin (3-2), Tirana me Flamurtarin (3-1), Laçi me Vllazninë (1-0) dhe Teuta me Gramozin (2-0). Në vizitën e fundit në kryeqytet, Kastrioti fitoi 1-0 me Tiranën, në një ndeshje të konsideruar si “dhuratë elektorale” të bardhebluve, por ndaj Dinamos së vendit të parë, krutanëve të Ramadan Ndreut do t’u duhet shumë punë për të marrë të paktën barazimin nga sfida në “Qemal Stafa”. Në dy përballjet sezonale, Dinamo i ka fituar të dyja ndeshjet: 3-1 në Krujë dhe 2-0 në Tiranë. Kastrioti është në zonën e skuadrave për mbijetesë në Superligë, kjo dhe për shkak të heqjes së 3 pikëve nga Komisioni i Disiplinës pas braktisjes së ndeshjes në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›