E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi i etur për Superkupën e Europës



Rafael Benitez do të synojë të fitojë trofeun e tij të të parë europian si trajneri i Interit kur kampionia e Ligës së Kampioneve do të përballet me fituesit e Ligës së Europës, Atletikon e Madridit, në finalen e Supërkupës, në “Stade Louis II” të Monakos. Është hera e parë, qysh nga edicioni i vitit 1998, të diskutuar nga Çelsi dhe Reali i Madridit, që të dyja ekipet garojnë në këtë kompeticion për herë të parë. Trajneri Benitez e ka shijuar më parë fitimin e Superkupës, kur Liverpuli i tij mundi 3-1 CSKA e Moskës në finalen e vitit 2005. Benitez e njeh stadiumin e Montekarlos, kur në vitin 2004, Liverpuli i tij humbi 1-0 me Monakon, në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Benitez e kishte mundësinë të ishte edhe njëherë tjetër në finalen Superkupës me Valencian në vitin 2004, por ai u largua në drejtim të “Anfield Road” përpara ndeshjes. Në atë finale, Valencia – nën drejtimin e Klaudio Ranierit – mundi Porton 2-1. Nëse Interi do të fitojë Superkupën, Benitez do të behët trajneri i gjashtë – dhe i pari spanjoll – që do të fitojë dy herë Superkupën. Pesë aktualët janë Rajmond Goethals (me Anderletin në vitin 1976 dhe 1978), Arigo Saki (me Milanin në vitin 1989 dhe 1990), Aleks Fergusoni (me Aberdinin në vitin 1983 dhe Mançester Junaitid në vitin 1991), Luis van Gal (me Ajaksin në vitin 1995 dhe Barcelonën në vitin 1997) si dhe Karlo Ançeloti (me Milanin në vitin 2003 dhe 2007). Benitez do të jetë githashtu, gjithnjë nëse fiton, edhe trajneri i tretë që do të fitojë me dy klube të ndryshme (pas Fergusonit dhe Van Galit). Kjo do të jetë hera e parë që dy trajnerë spanjollë do ta diskutojnë Superkupën midis tyre, ndërkohë që në vitin 1993 ishte një çift italianësh që u përballën midis tyre: Nevio Skala i Parmës me Fabio Kapelon e Milanit, në një finale me dy takime. Në vitin 1988, ishin dy holandezë përballë njëri-tjetrit, Ad de Mos i Meshelenit, i cili mundi në finale Gus Hidinkun e PSV Eindhoverit. Qysh kur Kupa e Fituesve të Kupës u hoq në vitin 1999, fituesit e Ligës së Kampioneve kanë fituar gjysmën e dhjetë finaleve të Superkupës. Rivalët e Interit, Milani, është ekipi më i suksesshëm në historinë e Superkupës së Europës, me pesë trofe. Juventusi e ka fituar dy herë, ndërsa Lacio dhe Parma nga një herë. Nga ekipet spanjolle, Barcelona është skuadra më e sukseshme, duke triumfuar tri herë, Valencia e ka fituar atë dy herë, Reali i Madridit dhe Sevilja nga një herë.

INTER VS. ATLETIKO MADRID
Kjo do të jetë hera e parë që dy skuadrat takohe një një kompeticion të UEFA-s. Interi ka zhvilluar 37 ndeshje kundër ekipeve spanjolle, duke fituar 13 takime, barazuar 11 dhe humbur 13. Interi e fitoi për herë të parë Ligën e Kampioneve, qysh nga fitorja e tij e fundit në vitin 1964, kur mundi në finale 3-1 Realin e Madridit në Vjenë. Interi i dha fund një serinë prej pesë ndeshjesh pa fitore kundër kundërshtarëve spanjollë, me një fitore 3-1 kundër Barcelonës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Interi fitoi 3-2 në rezultatin e përgjithshëm me Barcelonën, përpara se të mundte 2-0 Bajernin e Munihut në finalen e Ligës së Kampioneve. Atletiko ka mundur Fiorentinën 3-0 në finalen e Kupës së Fituesve të Kupave në vitin 1962, në Shtutgard të Gjermanisë, pas barazimit 1-1 në Gllazgou të Skocisë. Atletiko e Madridit nuk ka luajtur kurrë ndaj një ekipi italian, qysh kur humbi me rezultatin e përgjithshëm 5-2 me Parmën në gjysmëfinalen e Kupës UEFA të edicionit 1998/1999, pasi më parë kishin eliminuar Romën. Atletiko ka zhvilluar 14 ndeshje në kompeticionet e UEFA-s kundër ekipeve italiane, duke fituar 6 takime, barazuar 2 dhe humbur 6. Katër lojtarë të Interit kanë veshur fanellën e rivalëve lokalë të Atletikos, Realit të Madridit: Esteban Kambiaso, Valter Samuel, Uesli Shnajder dhe Samuel Eto’o.

TRAJNERËT, MIQ TË VJETËR

Rafa Benitez i Interit dhe Kike Flores i Atletikos së Madridit janë miq të vjetër. Ata kanë qenë te Reali i Madridit në sezonin 1994-1995, si ish-trajneri dhe ndihmësi i ekipit të dytë. Të dy e filluan karrierën me ekipet e të rinjve në “Santiago Bernabeu”. Benitez në vitin 1986 dhe Kike Flores në vitin 2001.

SUPERKUPA E EUROPËS, IDEJA E NJË GAZETARI

Superkupa e Europës u krijua në vitin 1972 nga Anton Uitkamp, një reporter dhe më pas editori sportiv i gazetës holandeze “De Telegraaf”. Ideja lindi te ai kur futbolli total holandez ishte një nga më argëtuesit në Europë dhe Ajaksi po përjetonte epokën e artë të tij. Uitkamp ishte duke kërkuar se kush ekipe më i mirë në Europë dhe kështu ai propozoi një duel midis fituesit të Ligës së Kampioneve me fituesin e Kupës së Kupave. Ndeshja e parë finale, ajo midis Ajaksit dhe Rejnxhërsit u suportua financiarisht nga gazeta holandeze “De Telegraaf”. Superkupa e Europës, apo e njohur zyrtarisht si UEFA Super Cup, është një ndeshje e përvitshme futbolli midis kampiones së Ligës së Kampioneve dhe kampiones së Ligës së Europës (dikur Kupa UEFA). Luhet gjithmonë në fund të gushtit, e zakonisht të premteve. Kampionia në fuqi është klubi spanjoll, Barcelona, ndërsa ekipi më i suksesshëm është ekipi italian i Milanit, me pesë trofe të fituara. Finalja e vitit 2010 do të zhvillohet, më 27 gusht dhe përballë njëra-tjetrës do të jenë kampionia e Ligës së Kampioneve të sezonit 2009-2010, Interi, dhe Atletiko e Madridit, fitues i Ligës së Europës për sezonin 2009-2010.

2.5 milionë euro për fituesin
UEFA shpërblen fituesin e Superkupës së Europës me një shumë prej 2.5 milionë euro, ndërkohë që humbësi përfiton nga qeveria e futbollit europian 2 milionë euro.

Trofeu, 12.2 kg, 58 cm e lartë
Trofeu i Superkupës peshon 12.2 kg. I Ligës së Kampioneve peshon 8 kg dhe i Ligës së Europës, 15 kg. Kush e fiton atë tri herë rresht apo pesë herë në total pronëson trofeun origjinal.

Ajaksi, fituesi i parë

Ajaksi i Amsterdamit është dhe fituesi i Superkupës së parë së Europës, të zhvilluar për herë të parë në janar të vitit 1974, por që i llogaritet vitit 1973. Milani fitoi takimin e parë 1-0, më 9 janar 1974, por Ajaksi i shpartalloi kuqezinjtë 6-0 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Holandë, 16 janar 1974. Ajaksi vinte në këtë sfidë si fitues i Kupës së Kampioneve (sot Liga e Kampioneve), ndërsa Milani, si fitues i Kupës së Kupave (sot Liga e Europës). Në takimin e kthimit, një nga gjashtë golat e Ajaksit, pikërisht i fundit, mban firmën e ish-trajnerit të Shqipërisë, Ari Han, atëherë një nga yjet e futbollit holandez.

Milani, më i suksesshmi

Milani, finalisti i humbur i finales së parë të Superkupës (1973), dhe fitues për herë të fundit në vitin 2007, është dhe ekipi më i suksesshëm në historinë e Superkupës së Europës. Milani, klubi me më shumë trofe ndërkombëtarë në planet, e ka fituar atë pesë herë: në vitin 1989, 1990, 1994, 2003 dhe 2007 si dhe ka humbur në finalet e vitit 1973 dhe 1993. Për herë të fundit, Milani e fitoi Superkupën e Europës në vitin 2007 kur mundi në finalen Seviljen me rezultatin 3-1. Renato i Sevlijes shënoi i pari, por kuqezinjtë e drejtuar asokohe nga Karlo Ançeloti përmbysin rezultatin me Inzagin, Jankulovski dhe Kakanë.

Barcelona, fituesja e fundit

Barcelona e Spanjës është fituesja ende në fuqi e Superkupës së Europës, përpara se të luhet finalja e vitit 2010, ajo midis Interit dhe Atletikos së Madridit. Katalanasit, fitues të Ligës së Kampioneve, fituan 1-0 kundër ukrainasve të Shahktar Donteskut, fitues i Kupës UEFA, pas kohës shtesë. Golin fitues e shënoi sulmuesi i ri Pedro Rodriguez në minutën e 115-të. Për Barçën e drejtuar në bankinë nga Pep Guardiola dhe e frymëzuar në fushë nga Lionel Mesi, Superkupa ishte pjesë e serisë prej gjashtë titujve nga gjashtë të mundshmet për gjigantët spanjollë.
Barcelona e ka fituar 3 herë Superkupën: 1992, 1997 dhe 2009.

LIBRI I ARTË

2009 Barcelona
2008 Zenit
2007 Milan
2006 Sevilja
2005 Liverpuli
2004 Valencia
2003 Milan
2002 Real Madrid
2001 Liverpuli
2000 Galatasaraj
1999 Lacio
1998 Çelsi
1997 Barcelona
1996 Juventus
1995 Ajaksi
1994 Milan
1993 Parma
1992 Barcelona
1991 Man. Junaitid
1990 Milan
1989 Milan
1988 Meshelen
1987 Porto
1986 Steaua
1984 Juventus
1983 Aberdeen
1982 Aston Villa
1980 Valencia
1979 Notingam Forest
1978 Anderleht
1977 Liverpul
1976 Anderleht
1975 Dinamo Kiev
1973 Ajaksi

FITUESIT SIPAS VENDEVE

Shteti Fitues
Italia 9
Spanja 7
Anglia 7
Belgjika 3
Holanda 2
Portugalia 1
Bashkimi Sovj. 1
Rusia 1
Rumania 1
Skocia 1
Turqia 1

FITUESIT SIPAS TROFEVE
Milani 5 1989, 1990, 1994, 2003, 2007
Barcelona 3 1992, 1997, 2009
Liverpuli 3 1977, 2001, 2005
Ajaksi 2 1973, 1995
Anderlehti 2 1976, 1978
Valencia 2 1980, 2004
Juventus 2 1984, 1996
Porto 1 1987
Manç.Junaid 1 1991
Real Madrid 1 2002
Dinamo Kiev 1 1975
Notingham For. 1 1979
Sevilja 1 2007
Aston Villa 1 1982
Aberdin 1 1983
Steaua Bukur. 1 1986
Meshelen 1 1988
Parma 1 1993
Çelsi 1 1998
Lacio 1 1999
Gallatasaraj 1 2000
Zenit St.Pet. 1 2008

DHJETË KURIOZITE

- Liga e Kampioneve të edicionit 1992-1993 u fituar nga Marseja, por për shkak të skandalit të ryshfeteve klubi francez u penalizua dhe në vend të tij në finalen e Superkupës mori pjesë Milani, finalisti i humbur.

- Finalja e vitit 1972 e zhvilluar midis Ajaksit të Amsterdamit dhe Rejnxhersit të Skocisë (dhe e fituar nga Ajaksi) nuk njihet nga UEFA si titull zyrtar. Rejnxhërs u ndëshkua nga UEFA për shkak të sjelljes së tifozërisë së tij gjatë finales së Kupës së Kupave të vitit 1972.

- Finalja e vitit 1974 u braktis për shkak se të dy finalistët, Bajernit i Munihut dhe Magdeburgu, të dyja skuadra gjermane, nuk gjetën një datë të përshtatshme për zhvillimin e ndeshjeve.

- Në vitin 1981 kompeticioni nuk u zhvillua për shkak të faktit se Liverpuli nuk mundi të gjente një datë të përshtatshme për shkak të ngjeshjes së ndeshjeve. Kundërshtari tjetër ishte Dinamo e Tbilisit të Gjeorgjisë, atëherë si pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

- Në vitin 1984 u luajt vetëm një ndeshje, pasi Liverpuli nuk mundi të gjente dot një datë tjetër për të luajtur kundër Juventusit të Italisë. Në takimin e parë, Juventusi fitoi 2-0.

- Në vitin 1986, për shkak të rrethanave politike, Steaua e Bukureshtit dhe Dinamo e Kievit (si pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik), ranë dakord që të zhvillonin një ndeshje midis tyre në një fushë neutrale. UEFA përzgjodhi stadiumin “Stade Louis II”.

- Në vitin 1991, për shkak të situatës në ish-Jugosllavi u luajt vetëm një ndeshje midis Mançester Junaitid dhe Crvena Zvezdës, pikërisht ajo në “Old Traford” e të fituar 1-0 nga skuadra angleze. Takimi i kthimit në Beograd nuk u zhvillua.

- Qysh nga viti 1998, me finalen Çelsi-Real Madrid (1-0), Superkupa zhvillohet me një takim dhe të gjitha ndeshjet zhvillohen në Montekarlo, në stadiumin “Stade Louis II” të Monakos. Nga viti 1972 e deri në vitin 1997, Superkupa zhvillohej me dy ndeshje finale, nga një në stadiumin e çdo ekipi finalist.

- Milani i Italisë dhe Barcelona e Spanjës janë dy skuadrat që kanë diskutuar më shumë finale të Superkupës së Europës: të dyja nga 7-të, por me ndryshimin e madh, se Milani ka fituar 5 dhe ka humbur 2, ndërsa Barcelona ka fituar 3 finale dhe ka humbur 4. Liverpuli vjen i treti me 5 finale të luajtura, 3 të fituara dhe 2 të humbura.

- Gjithsej, së bashku edhe me dy finalistet e vitit 2010, Interin dhe Atletikon e Madridit, bëhen 37 skuadra që kanë marrë pjesë në finalet e Superkupës së Europës. Nga 35 të parat, 22 prej tyre kanë fituar të paktën një titull, ndërsa 13 prej tyre nuk kanë fituar asnjë, përfshirë dhe Bajernin e Munihut me tri finale të humbura.

27 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›