Prostitucion në mes të qytetit, policia ndalon 3 gra dhe një burrë
ELBASAN - Tri gra dhe një burrë janë vënë në pranga në Elbasan, pasi akuzohen për shfrytëzim prostitucioni, ushtrim etj. Është Policia e Elbasanit ajo që ka bërë arrestimet duke shtuar se aktiviteti i paligjshëm zhvillohej pak metra larg qendrës së qytetit. Arrestimi i katër personave është bërë gjatë operacionit të koduar “Shatërvani” nga Policia e Elbasanit dhe seksioni i trafiqeve të paligjshme. Burimet zyrtare nga policia lokale thanë se “arrestimet janë bërë në sajë të një pune intensive nga strukturat e hetimit të krimit”. Aksioni është zhvilluar në orët e mesditës së djeshme, ku janë vënë në pranga në flagrancë katër persona: Engjëll Shaqiri, 51 vjeç, lindur e banues në lagjen "Kongresi", Valbona Fyshku, 39 vjeçe, banuese në fshatin Bugjes, Shirgjan, Behije Çela, 56 vjeçe, banuese në fshatin Bujqës, Shirgjan dhe Amarilda Karaj, 35 vjeçe, lindur në Korçë dhe banuese në Lushnjë.
Aktiviteti
Baza e aktivitetit të paligjshëm ishte banesa e Shaqirit, që ndodhet disa metra larg qendrës së Elbasanit. Tri gratë, njëkohësisht, gjenin klientët dhe më pas u ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesave të ndryshme. Nga hetimet e policisë është zbuluar se gratë merrnin pagesa nga 1 mijë deri në 5 mijë lekë, në varësi të kohës dhe shërbimeve që kërkonin klientët. Vendi ku ata shkonin ishte pikërisht shtëpia e Engjëll Shaqirit, i cili e kishte vënë në dispozicion kundrejt një pagese. Burimet policore thanë se hetimet kishin nisur disa kohë më parë. Kishin qenë ankesat e banorëve dhe informacionet e marra në rrugë operative që kanë sjellë nisjen e hetimeve nga uniformat blu. Hetimet më pas kanë vazhduar me vëzhgime në terren dhe përgjime të kryera gjatë periudhës së hetimit. Pasi janë siguruar prova të mjaftueshme, mesditën e djeshme policia ka ndërmarrë dhe aksionin për ndalimin e tyre. Burimet zyrtare thanë se ekzistojnë prova të mjaftueshme që vërtetojnë ushtrimin e prostitucionit dhe mbajtjen e banesës për aktivitetin e paligjshëm.
Aksioni
Arrestimi i këtyre grave u bë në banesën e Engjëll Shaqirit, në lagjen "Aqif Pasha" Elbasan. Të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar veprat penale të "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, "mbajtjes së lokaleve për prostitucion" dhe "ushtrim prostitucioni". Sipas policisë, për arrestimin e këtyre personave janë përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit të krimit, si dhe është bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan për dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të sipërpërmendur.
Të arrestuarit
Engjëll Shaqiri, 51 vjeç
Valbona Fyshku, 39 vjeçe
Behije Çela, 56 vjeçe
Amarilda Karaj, 35 vjeçe
Pranga plakut 70-vjeçar, tentoi të kryejë marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare
GJIROKASTËR - Një 70-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Gjirokastrës pasi akuzohet se ka dashur të kryejë marrëdhënie seksuale me një vajzë 13-vjeçare. Burimet zyrtare nga uniformat blu lokale thanë se gjatë ditës së djeshme, rreth orës 13:00, nga ana e specialistëve për parandalimin dhe hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër është bërë ndalimi i Aristidh Selos, 70 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Derviçan të rrethit Gjirokastër. Policia ka bërë të ditur se arrestimi i Selos është bërë pasi në sallën operative të Policisë së Gjirokastrës, dy ditë më parë, rreth orës 19:05, ka ardhur një telefonatë se një person po tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me një të mitur në automjetin e tij. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit Gjirokastër dhe të Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme të Policisë së Gjirokastrës, ku ka rezultuar se: i arrestuari në datën 25 gusht 2010, rreth orës 19:00, në vendin e quajtur “Grehot”, Gjirokastër, pranë vendit ku hidhen plehrat, në automjetin e tij tip “Benz Mercedes” me targë GJ 4851 A, duke shfrytëzuar njohjet familjare, ka marrë në makinë dhe më pas ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale dhe ka ngacmuar seksualisht me veprime të turpshme, por pa mundur të kryejë marrëdhënie seksuale, vajzën me iniciale K. K., 13 vjeçe, nga Gjirokastra. Nga ana e policisë janë kryer veprimet procedurale, si këqyrje dhe sekuestrim të automjetit, aparateve celularë të përdorura nga autori dhe u pyet në prani të prindërve dhe psikologes e dëmtuara, u bë ekspertimi mjeko-ligjor lidhur me dëmtimet dhe pasojat e shkaktuara, ku rezultoi se shtetasi i lartpërmendur nuk ka mundur të kryejë marrëdhënie seksuale me të miturën. Materialet në ngarkim të shtetasit Aristidh Selo i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprat penale të “marrëdhënieve seksuale me të mitura, mbetur në tentativë”, si dhe “vepra të turpshme”.
Prostitucioni, vjen në pranga i dënuari Domi
TIRANË - Ekstradohet një i dënuar me 11 vite burg për shfrytëzim të femrave për prostitucion. Burimet nga Policia e Shtetit thanë se Interpol Tirana ka sjellë në pranga nga Gjermania të kërkuarin për “shfrytëzim prostitucioni”, Dritan Domi. “Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, dje rreth orës 15:30, është kryer ekstradimi i shqiptarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Dritan Domi”, - thanë burimet zyrtare të uniformave blu. Sipas tyre, nga Frankfurti, Gjermani, është bërë ekstradimi drejt Shqipërisë i Dritan Domit, 35 vjeç, lindur në Maminas, Durrës. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me Vendimin Nr. 310, datë 14 maj 2004, e ka dënuar me 11 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. I ekstraduari Dritan Domi, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka mashtruar shtetasen me inicialet A. D. me qëllim dërgimin në Itali dhe shfrytëzimin e saj si prostitutë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden, më datën 3 maj 2010, është bërë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Domit.
Rikthehen radhët e gjata në pikën kufitare të Kapshticës
DEVOLL - Radhët e gjata me emigrantët që duan të kthehen në vendet e punës në Greqi janë shfaqur sërish dje në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas emigrantëve që hyjnë në Shqipëri nga kjo doganë, vonesat vijnë për shkak të procedurave të kontrollit që ushtron policia greke ndaj personave që hyjnë në Greqi dhe faktit që ajo punon vetëm me 2 sportele. Policia shqiptare punon me katër sportele dhe në raport me fluksin e personave që hyjnë dhe dalin, numri i sporteleve rritet në shtatë duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe makinave. Sipas komandantit të Stacionit të Policisë Kufitare të Kapshticës, Dritan Sheme, gjatë 24 orëve kanë hyrë 2281 persona dhe 672 automjete dhe kanë dalë 3753 persona dhe 1077 automjete. Nga data 1 deri 25 gusht, në Kapshticë kanë hyrë 73 707 persona dhe kanë dalë 69 064 persona.
Gjendet dhe shkatërrohet parcela me 78 rrënjë Cannabis
KRUJË - Gjenden 78 rrënjë Cannabis sativa të mbjella në një parcelë pa pronar në Krujë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, në bazë të informacioneve të marra nga struktura kundër narkotikeve Durrës, u ushtrua një kontroll në afërsi të vendit të quajtur “Liqeni i Bacungut” në fshatin Zgërdhesh, Krujë. Nga krehja e zonës, në anën lindore të liqenit, është konstatuar një parcelë me përmasa 8 x 22 metra, ku ishin mbjellë 78 rrënjë bimë të dyshuara si narkotike të llojit Cannabis sativa. Nga ana e policisë është bërë asgjësimi i bimëve të kultivuara dhe është duke u punuar për identifikimin e kapjen e kultivuesit të bimëve narkotike. Dosja me materialet hetimore dhe procedurale për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.
Plagoset gjatë punës punëtori i tunelit të Kalimashit
KUKËS - Një specialist turk është plagosur rëndë gjatë punës në galerinë e papërfunduar të tunelit të Kalimashit, përgjatë autostradës Durrës-Kukës. Sipas burimeve, Hysein Kupur, 24 vjeç, dyshohet se ka humbur shikimin, pasi një gozhdë i është ngulur në sy. Për shkak të gjendjes kritike, mjekët e Kukësit e kanë nisur atë menjëherë drejt Tiranës. Burime të sektorit të sigurisë në tunel, të firmës "Bektel-Enka", bëjnë me dije se vetë punëtori nuk kishte marrë masat e sigurisë para nisjes së punës.
Nuk dinte not, pushuesja mbytet në liqenin e Pogradecit
POGRADEC - Një tjetër pushuese është mbytur në liqenin e Pogradecit, i cili ditët e fundit ka marrë tri jetë njerëzish. 25-vjeçarja nga fshati Remenj ndodhej me pushime së bashku me familjen e saj. E reja ka marrë një kamerdare dhe ka hyrë në thellësi. Në një moment, pushuesja, që mësohet se nuk dinte not, ka rrëshqitur dhe ka rënë në liqen. Pavarësisht tentativës se disa pushuesve të tjerë për ta shpëtuar, 25-vjeçarja është nxjerrë pa jetë në breg.
27 Gusht 2010