E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e PE-së, PS-LSI ndajnë qëndrime të kundërta



Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se nuk e shohin në një këndvështrim Rezolutën e Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës politike. Ka qenë sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama dhe deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, të cilët janë përballur me replika në distancë përsa i përket zbatimit të Rezolutës së PE-së. Për Ramën, zbatimi i Rezolutës fillon me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa për Gjermenin fillon me transparencën e zgjedhjeve parlamentare të kaluara duke hapur kutitë. Rama e ka ftuar opozitën të ulet në tryezë për një dialog konstruktiv lidhur me ndryshimet në reformën zgjedhore, ndërsa deputetja Gjermeni i ka bërë apel qeverisë që sesionin e ri parlamentar ta nisë pikërisht me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009. Rama theksoi se duhet të realizohet ajo reformë zgjedhore që rekomandojnë në mënyrë të veçantë OSBE/ODHIR-i, në mënyrë që Shqipëria të realizojë përfundimisht zgjedhje të standardeve europiane.
Gjermeni
“Kuvendi duhet të nisë punën pikërisht me zbatimin e Rezolutës së Parlamentit Europian, e cila shprehet qartë dhe pa asnjë ekuivok për transparencën e zgjedhjeve të kaluara dhe hapjen e kutive. Le të nisë puna e Kuvendit me zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, që garantohet si fillim nga hapja e kutive të materialeve zgjedhore, ndërkohë që për fletët votimit opozita e ka ofruar tashmë kompromisin e saj”, - u shpreh deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni.
Rama
“Lidershipi socialist dëshmon se e ka lexuar së prapthi Rezolutën dhe kërkon të përligjë në fund të fundit dështimin e të gjithë aksionit politik që ajo ndërtoi mbi atë që të gjithë tashmë e njohin si transparencë e zgjedhjeve. Transparenca e zgjedhjeve nuk bëhet nga konferencat e shtypit, por me projektin konkret, me ndryshmin konkret në Kodin Zgjedhor, me ligjin konkret që e bën të mundur dhe vendos projekt të standardit europian mbi baza ligjore dhe jo mbi baza volumtariste e mbi baza të pasionit politik”, - u shpreh sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Ai i ka ftuar të gjithë aktorët politikë të japin kontributin e tyre për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që është krijuar vetëm me vullnetin e dy partive të mëdha politike. “Të gjithë aktorët politikë, në mënyrë të veçantë ata parlamentarë, të japin kontribute pozitive dhe të dëshmojnë kështu realisht që janë në kahjen e interesave të vendit, që janë në rrjedhën e zhvillimeve europiane të vendit dhe që realisht duan të jenë pjesë e këtij kontributi që lidhet me këto interesa madhore”, - theksoi Rama.

Xhaçka: “Kryeministri Berisha fshihet pas korrupsionit me koncesionet”

Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Sali Berisha se ai fshihet brenda korrupsionit të madh të koncesioneve. Xhaçka ka ngritur pikëpyetje edhe për rolin e motrës së deputetes Albana Vokshi, Mimoza Vokshi, në aferën e korrupsionit të dhënies së 6 kontratave koncesionale kompanive të Arian Tartarit, kunatit të saj, për ndërtimin e HEC-ve.
“Së pari, përveç Albana Vokshit, që në kohën kur kryeministri firmoste koncesionet ishte funksionare në kabinetin e Sali Berishës, cili është roli i motrës tjetër Vokshi, Mimozës, e cila kur Arian Tartari dhe Albana Vokshi merrnin 6 hidrocentrale, punonte si drejtoreshë e privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë, që ka ushqyer me kaq shumë bukë lepurushi Arjan Tartarin dhe Albana Vokshin? Së dyti, si e shpjegon Sali Berisha faktin se nga gjithçka që i quan investime të mëdha dalin, në fakt, lepujt e mëdhenj të korrupsionit qeveritar në dëm të ekonomisë shqiptare, dalin në pah emra personazhesh të lidhur ngushtësisht me familjen në pushtet dhe pushtetin e familjes?” - ngre pikëpyetje Xhaçka. Ajo ka denoncuar heshtjen e kryeministrit duke u shprehur se ai fshihet vetë pas këtij korrupsioni në dëm të ekonomisë shqiptare. “Sali Berisha, bën ç’bën dhe hesht. Ndoshta mendon se çdo çudi në Shqipëri zgjat vetëm tri ditë, por çudia e korrupsionit të dirigjuar prej tij është se çdo tri ditë na shfaqet një çudi e re. Megjithatë, flet apo s'flet Sali Berisha, shqiptarët po e kuptojnë se ferra ku fshihet dhe ushqehet lepuri i korrupsionit është vetë Sali Berisha. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë me publikime të reja të provave dhe fakteve të këtij korrupsioni shkatërrues, i cili nuk fshihet dot as me heshtjen e kryeministrit dhe që nuk mbulohet dot nga balta e neveritshme e shpifjeve bajate të kësaj qeverie”, - u shpreh deputetja Xhaçka.

Box
Akuzat

Fakte të reja kanë dalë çdo ditë nga Partia Socialiste, të cilat dëshmojnë lidhjen e deputetes demokrate Albana Vokshi dhe familjes Berisha me korrupsionin. PS-ja ka zbuluar se kryeministri Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike Vokshit, duke i krijuar lehtësira në marrjen e 6 tenderëve, 4 kompanive të bashkëshortit të saj, Arian Tartari. Partia Socialiste, që në krye të herës ka akuzuar edhe ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se është i përfshirë në afera korruptive. PS-ja ka kërkuar që Prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. Socialistët i kanë kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë, i cili është shprehur se i ka fituar ato para nga shitja e aksioneve në kompaninë “Forti 2”. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i pa implikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha, gjatë fushatës elektorale, pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë dhjetëra padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmbajnë akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli, Dritan Prifti dhe Albana Vokshi.

27 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›