E Shtunë, 31 Tetor 2026

GNK sugjeron bisedime për shkëmbim territoresh, kundërshton Prishtina



Grupi Ndërkombëtar i Krizave i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që me një ndërmjetësim të nivelit të lartë ndërkombëtar, pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të nisin sa më parë dialogun për të diskutuar për çështjet e pazgjidhura ndërmjet dy vendeve. “Dështimi për të negociuar në muajt e ardhshëm, mund ta ngrijë konfliktin për disa vjet, meqë palët po hyjnë në cikle elektorale, gjatë së cilave ka gjasa që të përdoret konflikti për të mobilizuar mendimet nacionaliste dhe për t’ju shmangur kritikave për korrupsionin e brendshëm dhe për dështimet e qeverisë”, thuhet në raportin e fundit të kësaj organizate.
Lidhur me këtë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar i Krizave i sugjeron Bashkimit Europian, shteteve anëtarë të këtij mekanizmi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të lehtësojnë dialogun, i cili, siç thuhet, duhet të nisë sa më parë për të përfunduar në fillim të verës së 2011-ës. Bisedimet, sipas raportit, do të duhej të përgatiteshin nga një diplomat i nivelit të lartë ndërkombëtar, e të zhvilloheshin në nivelin e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Suksesi eventual që mund të arrihej që gjatë këtyre bisedimeve në çështjet, në të cilat është e interesuar Prishtina zyrtare, e që janë çështje të nivelit teknik, si doganat, çështjet tregtare, ato të komunikacionit, transportit dhe energjisë, sipas raportit, pengohet nga mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb. Prishtina thuhet se shpreson që mendimi këshillëdhënës i GJND-së t’i “japë një shtytje të fortë” procesit të njohjes së shtetësisë së vendit. Ndërkohë, mosmarrëveshjet kryesore ndërmjet dy palëve në terren thuhet se kanë të bëjnë me komunat në veri të Kosovës. “Një autonomi më e madhe për veriun dhe një status autonom për monumentet Ortodokse Serbe, siç parashihet në Planin Ahtisaari, në shkëmbim për njohjen nga ana e Serbisë do të duhej të ishte e pranueshme për të dy palët”, thuhet në raport. Lidhur me problemin e veriut, Grupi Ndërkombëtar i Krizave propozon tri zgjidhje të përfytyrueshme: Plani i Ahtisaarit, autonomia më e zgjeruar dhe shkëmbimi i territoreve. Raporti i rekomandon Qeverisë në Prishtinë që gjatë bisedimeve të pranojë një marrëveshje, e cila, ndër të tjera, do të përmbante elementet si: njohja e Kosovës me kufijtë aktuale, një autonomi të gjerë për rajonin në veri të lumit Ibër në përputhje me integritetin territorial të Kosovës, një status autonom vetëqeverisës për monumentet Ortodokse Serbe. Prishtina zyrtare hodhi poshtë mundësinë që të hyjë në biseda me Serbinë për shkëmbim territoresh, apo autonominë e veriut të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me Serbinë mund të ketë vetëm bashkëpunim ndërshtetëror. “Nuk do të ketë në asnjë rrethanë as shkëmbim territoresh, as autonomi e as biseda me Serbinë për çështjet e serbëve të Kosovës. Me Serbinë do të ketë vetëm partneritet ndër-shtetëror”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së vendit. Komentet e kryeministrit Thaçi erdhën pas publikimit të raportit të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, i cili sugjeron tri, siç thuhet, zgjidhje të përfytyrueshme për veriun e Kosovës, që mund të arriheshin gjatë bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar.

27 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›