Interi i frikshëm
Portieri i Interit, Julio Cesar beson se ekipi ka rikthyer aftësinë e ngjalljes së frikës te kundërshtarët. Nerazzurrët shfaqën një paraqitje të jashtëzakonshme kundër Romës, duke i mposhtur 5-3 në Giuseppe Meazza të dielën.
Ekipi i trajnerit Leonardo tani gjendet në pozitën e tretë në Serie A, vetëm pesë pikë prapa liderit Milan, por me një ndeshje më pak të zhvilluar dhe Cesar është i lumtur me serinë pozitive të skuadrës.
“Fitorja e sotme është paralajmërim për ato të ardhshmet. Jam shumë i kënaqur me mënyrën si kemi luajtur”, tha Cesar pas ndeshjes. “Kemi dërguar mesazh të qartë. Tani kemi rastin të luftojmë për Scudetto dhe jam i lumtur që kam dhënë kontributin tim, e sidomos me pritjen që kam bërë në pjesën e parë”, shtoi ai. Cesar ka pranuar se atmosfera në ekip ka ndryshuar dukshëm pas ardhjes së Leonardos në postin e trajnerit. Braziliani zëvendësoi Rafael Benitezin në dhjetor dhe arriti të kthejë entuziazmin në skuadër.
“Brenda një muaji ka ndryshuar gjithçka. Gjëja më e rëndësishme është të shfrytëzojmë gabimet e rivalëve tanë, që janë para nesh. Milan duhet të brengoset nga ne, sepse ky Inter përsëri ngjall frikë te kundërshtarët. Më parë kam qenë në pozitën e parë dhe të humbni pikë ndaj atyre që janë më poshtë nuk është një gjë e mirë”, përfundoi ai. Ndërsa trajneri Leonardo ka refuzuar të kritikojë repartin defansiv pas pësimit të tri golave nga Roma.
“Ne ia vështirësuam punën vetes, por nuk jam i befasuar nga golat që kemi pranuar. Ishte një goditje e lirë, një devijim dhe një korner. Nuk ishin lëvizje të vërteta. Por, kemi bërë mirë që realizuam golin e pestë”, tha ai. “A është problem me pranimin e kaq shumë golave? Nuk mund të flas vetëm për gjëra të këqija kur jam aq i kënaqur me këto rezultate. Çka ka rëndësi është të vazhdojmë përpara me këtë entuziazëm”, shtoi ai. Inter ka një ndeshje më pak se Milan dhe përsëri është kthyer në garë për titull, pas fillimit të dobët të sezonit.
“A jemi anti-Milan? Ky sezon në Serie A do të jetë luftë deri në fund me shumë ekipe që janë afër njëri-tjetrit. Ju mund të shihni në çdo ndeshje se sa e vështirë është të merrni tri pikë. Nëse shikoni xhirot e kaluara, e dini se do të ketë befasi të tjera në vazhdim”, përfundoi ai. Interin e pret një ndeshje e vështirë të dielën, kur udhëton në Torino për ‘Derby d’Italia’ kundër Juventusit.