Synojnë rezultat pozitiv

Të përzgjedhurit e Jospi Kuzes të hënën kanë vazhduar përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Sllovenisë, e cila do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin ‘Qemal Stafa’
Sipas futbollistëve kuqezi, takimi i së mërkurës është i rëndësishëm për t’u përgatitur për ndeshjen e ardhshme kundër Bjellorusisë, e cila zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për Euro 2012.
Shqipëria vitin e kaluar pati rezultate pozitive si asnjëherë më parë në ndeshje miqësore dhe kualifikimet për Euro 2012. Hamdi Salihi shpreson që kundër sllovenëve të arrijë një rezultat pozitiv, i cili do t’i ndihmojë kuqezinjtë që edhe këtë vit të vazhdojnë me ritëm të njëjtë.
"Shumë e rëndësishme për ne është vazhdimësia e lojërave të vitit 2010. Shpresoj që të vazhdojnë dhe këtë vit", tha sulmues i ekipit austriak Rapid Vjenës në konferencën për media.
Ndërsa mesfushori Klodian Duro mendon se Shqipëria edhe në vitin 2011 do të vazhdojë të tregojë lojëra të mira.
"Edhe në këtë fillim të vitit 2011 mendojmë që të bëjmë një nisje të mirë. Kundër Sllovenisë nuk do të jetë lehtë, pasi përballë kemi një ekip që ka marrë pjesë në Botërorin e fundit", u shpreh anëtari i skuadrës austriake Lask Linz.
Trajneri Josip Kuze për ndeshjen kundër Sllovenisë pritet të jetë i hendikepuar në repartin sulmuesi, pasi Edmond Kpllani ka pësuar një lëndim me skuadrën e tij Paderborn në Bundesliga 2.
Ndeshja Shqipëri – Slloveni do të fillojë në orën 20:00