Besiana, drejt shuarjes
Skuadra e Besianës është në krizë të thellë. Shumë futbollistë janë larguar, ndërsa kryesia është shpërbërë. Duket se rrugën e tyre do ta ndjekë edhe njeriu kryesor i klubit, pronari Ertan Xhihiqi, i cili nuk e ka ndërmend ta mbajë më klubin llapjan.
Njëra prej skuadrave më të mira të futbollit kosovar në vitet e para të pasluftës është drejt shuarjes, pas 27 vjetësh aktiviteti.
Investimet që kishte bërë pronari i klubit, Ertan Xhihiqi, bënë që klubi verdh e kaltër në vitin 2002 ta fitonte Kupën dhe Superkupën e Kosovës, ndërsa një vit më pas edhe titullin e kampionit.
Mirëpo, me kalimin e viteve, ekipi llapjan mori tatëpjetën, si në rezultate, ashtu edhe në aspektin financiar, me çka bëri që sezonet e fundit të garonte në Ligën e Parë të Kosovës. Vjet Besiana ishte pranë rikthimit në Superligë, por dështoi në momentet e fundit, kur humbi nga Vëllaznimi në ndeshjen e barazhit.
“Ka gjasa që Besiana të shuhet, por ka gjasa edhe të mobilizohet dhe t’i vazhdojë garat edhe në pranverë. Kjo varet nga kryetari. Jemi duke e pritur për t’u kthyer nga Turqia. Frikësohem se klubi mund të shuhet, sepse s’ka mbet as kryesi as trajner. Po ashtu, shumë lojtarë janë larguar”, ankohet kapiteni i Besianës, Fatlum Behluli.
Prejse ka përfunduar kampionati vjeshtor, lojtarët e mbetur nuk dinë më asgjë. Ata nuk kanë marrë asnjë lajm nëse do të luajnë në pranverë apo jo.
“Posa ka përfunduar stinori vjeshtor, kryetari Ertan Xhihiqi ka shkuar në Turqi, ndërsa edhe trajneri ka shkuar nga Kosova. Nga atëherë asnjë tubim nuk e kemi mbajtur. Nuk dimë asgjë çfarë po ndodh e çfarë do të ndodhë. Po e presim kryetarin të kthehet nga Turqia dhe më pas ndoshta do të dihet diçka”, vazhdoi Behluli.
Ai tregon se ka prej lojtarëve që e thërrasin në telefon për ta pyetur se a do të fillojnë përgatitjet apo jo, por Behluli nuk di se çka t’u thotë atyre, sepse as vetë nuk ka kurrfarë dijenie.
Futbollisti llapjan shpjegon se lojtarët e Besianës gjatë vjeshtës kanë luajtur pa para, vetëm për hir të klubit, ndonëse kanë marrë oferta nga klubet tjera. Por, me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit, më shumë se tetë lojtarë e kanë braktisur ekipin. Atë mund ta braktisin edhe të tjerët.
Megjithatë, kapiteni i klubit ende nuk i ka humbur të gjitha shpresat. “Shpresoj që Besiana të mbijetojë, sepse është një klub i vjetër dhe me traditë në Kosovë, i cili ka fituar edhe trofe”, përfundoi Behluli.
Besiana e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e shtatë në tabelën e Ligës së Parë, me 22 pikë të grumbulluara.