E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpool befasoi Chelsean

Fernando Torres thotë se Chelsea u befasua nga taktika e Liverpoolit, që aktivizoi tre qendërmbrojtës në humbjen 1-0 në debutimin e tij për skuadrën nga Stamford Bridge. Por, ylli spanjoll beson se gjiganti londinez është ende në garë për titull në Premierligë. Nga Express më 08 shkurt 2011 në ora 09:33

Fernando Torres ka pranuar se ish klubi i tij Liverpool ka befasuar Chelsean në debutimin e tij të dielën. Por, Torres është zotuar se gjiganti londinez do të thotë fjalën e tij në garë për titull në Premierligë, edhe pse është në pozitën e katërt me dhjetë pikë më pak se lideri Manchester United.

Ylli spanjoll, i cili i kushtoi Chelseas 50 milionë funte, dështoi të plotësojë parashikimet në paraqitjen e tij të parë si futbollist i Blues dhe u zëvendësua pas 65 minutave në humbjen 1-0 nga Liverpooli falë golit nga Raul Meireles.

Liverpool, që po vazhdon të përmirësohet nën drejtimin e Kenny Dalglish dhe fitores së katërt të njëpasnjëshme në ligë, luajti me tre qendërmbrojtës që kufizuan ndikimin e Torresit dhe Didier Drogbas të përkrahur nga Nicolas Anelka. Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, është zotuar se do ta funksionalizojë sistemin e ri dhe Torres beson se ekipi nuk do të befasohet përsëri.

“Ishte shumë vështirë. Liverpool zhvilloi një lojë të mirë me tre qendërmbrojtës”, tha Torres për Chelsea TV. “Ne nuk e kemi pritur këtë dhe ndoshta ata e shfrytëzuan. Mendoj se rezultati i drejtë ishte barazimi, ishte e padrejtë të mposhtemi, por tani jemi duke shikuar përpara në ndeshjen e ardhshme dhe të vazhdojmë të luftojmë deri në fund. Ka edhe shumë pikë për të luajtur”, shtoi ai.

Përveç një rasti të hershëm, kur goditi mbi portë dhe një goditje nga afërsia që u bllokua nga Jamie Carragher, Torres nuk paraqiti kërcënim për mbrojtjen e Liverpoolit.

Tifozët mysafirë nga Anfield Road e kritikuan ish idhullin e tyre në çdo mundësi që iu ofrohej dhe u gëzuan pas zëvendësimit të tij duke kënduar: “Ti është dashur të qëndroje në një klub të madh”. Torres preferoi të përmend pritjen pozitive që mori nga tifozët në Stamford Bridge.

“Sigurisht se të gjithë duan të fitojnë e sidomos në ndeshjen e tyre të parë në shtëpi, por do të kem kujtime shumë të mira nga pritja ime këtu dhe dua t’i falënderoj tifozët e Chelseas. Rezultati nuk ishte më i miri, por do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund”, përfundoi ai.

Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, beson se Torresit i nevojitet kohë për t’u përshtatur, para se të shfaqë formën e tij më të mirë.

“Duhet t’i japim kohë të përshtatet, por mendoj se do ta bëjë shpejt. E kam zëvendësuar pas 65 minutave dhe një jave shumë të zënë”, deklaroi Ancelotti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›