Interi i nis 5 mesazhe kuqezinjve
Zikaltërit kanë përmbysur Xhenoan me 5 gola, duke u shfaqur një ekip i frikshëm dhe tërësisht në formë. Diferenca mes dy vendeve të para mbetet ende në pesë pikë
Sikur ta bënin me qëllim. I josh kundërshtarët e pastaj i bën copash. I bën të vuajë tifozët e tij e pastaj ua shpërblen me reagime spektakolare. Por mbi të gjitha nuk e lëshon terrenin ndaj Milanit, që qëndron aty, 5 pikë larg. Interi në pjesën e parë luan keq, shumë keq dhe pëson golin e parë. Por në pjesën e dytë, pas fshikullimit të Leonardos në dhomat e zhveshjes, zbret në fushë me një reagim shkatërrimtar. I asfalton kuqeblutë duke u shënuar dy gola brenda një minute falë Pacinit dhe Eto’o. Por duke mos u kënaqur: kështu, në vijim, mbërrijnë edhe bëmat e tjera të kamerunasit, goli i Pandev dhe perla e Nagatomos – goli i parë në Itali – për kënaqësinë e madhe të tifozëve të Sol Levantes që kishin shkuar në “Meazza”. Zhgënjyese ndeshja e Xhenoas, që nisi me dëshirën për të bërë shumë, por që u zbut nga furia zikaltër. I kotë, edhe pse i bukur, goli i rezultatit 5-2 shënuar nga Boseli.
Interi është një makinë e kolauduar mirë dhe kjo kuptohet menjëherë. Shnajder e Eto’o luajnë pa u parë. Mungon Kambiaso dhe Leonardo e zëvendëson me Tiago Motën. Manovra sulmuese mbështetet nga krahët me Maikon e Zaneti. Por përpara Interi ka një Xhenoa shumë të freskët fizikisht, që vrapon shumë dhe nuk ka ndërmend të mbyllet si një ekip provincial në mesfushën e saj. Kuqeblutë shfrytëzojnë shkëmbimet e shpejta të lojës dhe kështu gjejnë golin e parë. Palasio gjuan diagonalisht duke mposhtur Zhulio Sezar. Leonardo nuk e mendon gjatë dhe me rifutjen e skuadrave në fushë ka zëvendësuar Stankoviç me Pandev. Maqedonasi do të arrijë t’u dhurojë shumë hapësira shokëve. Kështu, pas një goditjeje dënimi të Shnajderit, Interi heq maskën dhe shpërthen përpara me Eto’o si protagonist. Por perla vjen në minutën e 57-të. Kamerunasi i vjedh një top Mestos, driblon mbrojtësit dhe portierin dhe shënon. Uragani Inter nuk di të ndalet dhe është Pandev ai që i shtohet festës në minutën e 71-të. Por nuk ka mbaruar me kaq. Leonardo heq nga fusha Pacinin e Karzha për Ranokian e Nagatomon. Interi nuk ka ndërmend të shpërdorojë asnjë aksion dhe japonezi shënon pas një asisti të Shnajderit.
Ndërkohë, Napoli humb sërish terren në tabelën e klasifikimit, pasi këtë javë në ndeshjen e luajtur në fushën e vet, nuk ka shkuar me shumë se një barazim pa gola me Breshian. Po 0-0 u mbyll edhe Kievo-Parma, ndërsa Bolonja e Kaljari ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2. Në ndeshjen e luajtur më herët, Sampdoria u mund brenda në shtëpinë e saj me rezultatin 3-2 nga Cezena. Fiorentina shkatërroi pastër 3-0 Katanian, ndërsa Udinezes i mjaftoi një gol për të marrë 3 pikëshin e radhës ndaj Barit. Renditja mbahet nga Milani me 61 pikë, ndjekur prej Interit me 56, Napolit 53, Udineze 50 dhe Lacio që në mbrëmje luan ndaj Palermos, 48 pikë.
Serie A – Java e 28-të
Rezultatet
Leçe – Roma 1-2
Juventus – Milan 0-1
Sampdoria – Çezena 2-3
Bolonja – Kajliari 2-2
Kievo – Parma 0-0
Fiorentina – Katania 3-0
Inter – Xhenoa 5-2
Napoli – Breshia 0-0
Udineze – Bari 1-0
Lacio – Palermo X-X
Skuadra N F B H Gol P
1) Milan 28 18 7 3 50-20 61
2) Inter 28 17 5 6 54-31 56
3) Napoli 28 16 5 7 41-25 53
4) Udineze 28 15 5 8 50-30 50
5) Lacio 27 14 6 7 33-23 48
6) Roma 28 13 7 8 43-39 46
7) Juventus 28 11 8 9 41-35 41
8) Palermo 27 12 4 11 44-43 40
9) Kajliari 28 11 6 11 35-30 39
10) Fiorentina 28 9 10 9 32-29 37
11) Bolonja 28 10 9 9 31-36 36
12) Xhenoa 28 9 8 11 27-32 35
13) Kievo 28 7 11 10 28-30 32
14) Sampdoria 28 7 10 11 25-32 31
15) Parma 28 6 11 11 27-38 29
16) Katania 28 7 8 13 24-38 29
17) Çezena 28 7 7 14 23-38 28
18) Leçe 28 7 7 14 31-50 28
19) Breshia 28 6 7 15 22 - 35 25
20) Bari 28 3 7 18 15 - 42 16