E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi, kriza nuk njeh fund, barazim edhe me Atalantën

ROME-Kriza e Interit nuk ka të sosur këtë sezon. Zikaltërit nuk kanë shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Atalantës, duke humbur një shans të mirë për t’iu afruar zonës së Champions League, pasi Lacio u mposht 1-0 nga Katania. Edhe në ndeshjen e sotme, ekipi i Ranierit ka shfaqur problemet e zakonshme të këtij edicioni: lodhje fizike, mungesë finalizimi, lojë e vakët dhe më tej akoma, pasiguri totale në vetvete.

Tashmë duket se edhe Morati është lodhur me këtë situatë, pasi e braktisi tribunën në pushimin midis pjesëve. “Nuk pati asnjë reagim negativ të presidentit, ai thjesht erdhi në dhomat e zhveshjes dhe kërkoi të na motivonte”, u shpreh trajneri Klaudio Ranieri. Interi ndërkohë ka humbur një penallti në minutën e 23-të, pas një dueli në zonë mes Pacinit e Belinit. Milito gaboi përballë Konsiljit, ashtu si ndaj Kievos. Në pjesën e dytë, rastet kanë qenë të pakta, ndërsa Atalantës iu mohua një penallti e pastër për një ndërhyrje të gabuar të Lusios. Në takimet e tjera, spikat disfata e Lacios në fushën e Katanias, me rezultatin minimal 1-0. Bolonja ka barazuar 2-2 me Kievon, ndërsa surpriza e ditës ka qenë fitorja 2-0 e Novarës në fushën e Sienës. Ndërkohë, ka mbaruar 1-1 ndeshja Leçe-Palermo, ndërsa në mesditë, Kaljari fitoi 3-0 me Çezenën.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›