Interi mbetet “i çmendur”/ Zikaltërit arrijnë fitoren e tyre të radhës në sekondat e fundit

Është përmendur kaq herë ky epitet, saqë është lodhur. Gjithsesi, fakt është që Interi mbetet i çmendur, e sidomos në Serinë A vazhdon t’i bëjë me zemër tifozët e tij.
Ndaj Fiorentinës, kampionët e Italisë patën një epërsi nga ato që quhen të jashtëzakonshme apo dërrmuese, e megjithatë u deshën 100 minuta që të arrihej fitorja minimale, 2-1.
Miqtë nga Firence kaluan në epërsi në pjesën e dytë, në 65’, kur realizoi Aleks Himenez, krejt kundër rrjedhës së lojës, dhe 70 000 tifozë në “San Siro” u shtanëgën.
Nuk po bënin punë 63 për qind mbajtje topi, dhe 30 gjuajtje, nga të cilat 10 në kuadrat.
“Vjollcëve” po u mjaftonin ato 7 tentativa për gjuajtje që patën, nga të cilat vetëm dy në kuadrat, e njëri ishte goli.
U desh të pritej deri vonë, shumë vonë.
Vetëm në minutën e parë shtesë, shënjestra u rregullua dhe Markus Turam, shpresa kryesore e golit pas dëmtimit të kapitenit Lautaro Martinez, barazoi. Rezultati 1-1 u duk si fitore, ndonëse shumë pak për aq sa kishin bërë milanezët, veçse Interi jo më kot quhet “i çmendur”.
Nuk përbahet kur nuk ta pret mendja dhe këmbënguli deri në fund, dhe në minutën e 7-të shtesë fitoi penallti. Polaku Piotr Zielinski, ndër më të diskutuarit në epokën e Simone Inzagit dhe që hyri në fushë në 77’, mori përsipër gjuajtjen e nuk gaboi.
Festë për kampionët, festë për trajnerin e tyre, Kristian Kivu. Zikaltërit u rikthyen në kryesimin e Serisë A me 22 pikë pas 8 javëve, po aq sa Lacio e Gatuzos, veçse me golaverazh pak më të mirë. Roma është e treta me 18 pikë./abcnews.al