Interi, një “lucky team”
Dash Frashëri
Një nga shprehjet më të vjetra dhe më të përdoruara në futboll thotë: “Një ekip i madh fiton edhe kur ai luan keq”. Kjo aksiomë e vërtetuar shumë shpesh vlen edhe për ekipin e Interit.
Në futbollin anglez të gjithë e konsideronin Mançesterin e viteve 1990 si një “lucky team” (ekip me fat). Kur në shumë ndeshje skuadra britanike dukej se do t’i humbiste për shkak të performancës së dobët, ajo fitonte më një gol të minutës së fundit, ku në memorie kanë mbetur dy golat e minutës 90 në finalen e Ligës së Kampioneve të vitit 1999. Nuk ka asnjë dyshim se shumica e ekipeve të mëdha zotërojnë aftësinë të fitojnë edhe kur ato luajnë keq. Që nga fillimi i këtij viti Interi ka fituar katër takime dhe ka barazuar një në pesë ndeshjet e Serisë A, duke hedhur hapa të mëdhenj në fitimin e një titulli tjetër kampion. Megjithatë, po t’i shikosh me ftohtësi këto ndeshje, zikaltërit kanë vuajtur jo pak për të arritur suksesin në kampionatin italian. Polemikat për ndihmë nga gjyqtarët nuk kanë reshtur në Itali, duke parë edhe statistikat: tre penallti të fituara dhe një gol në pozicion jashtë loje, u kanë dhënë përmasa të mëdha thashethemeve. Por kritikët në Itali po e krahasojnë Interin e Roberto Mançinit me Juvetusin e Fabio Kapelos në vitet 2004-2006, pavarësisht se për realistët dhe ekspertët e futbollit të Apenineve krahasimi nuk qëndron, madje është shumë qesharak.
Roma e vendit të dytë vlerësohet se luan futbollin më tërheqës në Itali, dhe kur fiton, fiton me stilin e saj. Megjithatë, skuadra e Spaletit nuk ka mundur të fitojë asnjëherë kur ajo ka prodhuar një futboll të keq. Humbja 3-0 me Sienën një javë më parë tregoi se ajo nuk mund të fitojë dot nëse nuk tregon një formë të mirë, ndërkohë që Interi arrin ta bëjë këtë, kjo edhe falë klasit të lojtarëve që ka në skuadër. Te Roma mungon grupi i lojtarëve kampionë, ata që bëjnë diferencën dhe zgjidhin situatat. Është e njëjta gjë si për Spanjën në nivelin ndërkombëtar. Edhe pse ka pasur gjithmonë lojtarë të mëdhenj, ajo kurrë nuk ka arritur në gjysmëfinalen e një kupe bote gjatë gjithë historisë së saj. Ajo nuk mund të fitojë nëse do të luajë keq.
Dominues absolut në lojë
Mediat italiane vendosin në fokus paraqitjet jobindëse të Interit kundër Sienës, Parmës, Udinezes, Empolit dhe Katanias. Përpara përfundimit të pjesës së parë të sezonit, Interi e dominoi kampionatin italian me lojëra të shkëlqyera në ndeshjet si ato kundër Fiorentinës dhe Milanit.
Champions, Inter-Liverpul
Javën e ardhshme Interi do të përballet me Liverpulin në ndeshjen e parë të raundit me eliminim, më 19 shkurt. Skuadra e drejtuar nga spanjolli Rafa Benitez në Europë është një “kafshë” e rrezikshme në Europë. Benitez ka mposhtur mjeshtër të taktikës si Kapelo dhe Mourinjo gjatë viteve të fundit.
Njëshi i Romës: “Interi nuk ka nevojë për favore”
Interi nuk ka nevojë për gabimet e arbitrave. Deklarimi i përket administratores së deleguar të Romës, Rozela Sensi. Sipas saj, Kambiaso i Interit shënoi një gol në pozicion të parregullt kundër Katanias në fitoren 2-0. “Interi, - pohoi Sensi, - është mjaft i fortë dhe në këto raste është ai që dëmtohet. Megjithatë, e meriton vendin e parë, ashtu si Roma e meriton ta ndjekë atë”. Për presidentin e Lacios, Lotito, është e nevojshme të respektohet roli i gjyqtarëve dhe duhet rritur një klasë e re arbitrash të rinj.
Ylli zikaltër. Ibrahimoviç: “Gjyqtarët kundër meje”
Zlatan Ibrahimoviç del kundër gjithë atyre që thonë se Interi është duke u favorizuar nga gjyqtarët, duke këmbëngulur të kundërtën, se janë arbitrat që e penalizojnë gjithmonë atë pa asnjë arsye. Polemikat janë rihapur pas fitores 2-0 të Interit me Katanian, kur Kambiaso shënoi në minutën e 67-të në pozicion jashtë loje, Trajneri Mançini e mbrojti gjyqtarin duke pohuar se lojtari ishte vetëm pak centimetra jashtë loje. “Mançini është në rregull. Ai duhet ta mbrojë Interin kur atë e sulmojnë”, -tha Ibrahimoviç. “Unë personalisht jam luftuar nga gjyqtarët qyshkur kam mbërritur në Itali. Ata fishkëllejnë shpesh kundër meje dhe kjo ndodhi edhe kundër Katanias”.
12 Shkurt 2008