E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi nuk ndalet, fiton 3-2 ndaj Bayernit

Kampioni në fuqi i garës më prestigjioze të futbollit evropian për klube, Inter, ka arritur që në mënyrë sensacionale ta mposhtë Bayern Munichun me rezultat 3-2 para tifozëve bavarezë, për t`u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Takimi i parë i zhvilluar në Giuseppe Meazza kishte përfunduar me fitore minimale të Bayernit, ndërsa pas takimit në Allianz Arena, me rezultat të përgjithshëm prej 3-3, Interi vazhdon garën falë golave të shënuar në terren mysafir.

Zikaltrit e filluan furishëm takimin dhe krijuan epërsi të hershme (4’), kur pas një pasimi të Goran Pandev, Samuel Eto`o mposhti portierin Kraft, ndërsa përkundër pozitës jashtë loje, arbitri e pranoi golin.

Pas goditjes së Arjen Robben nga distanca, portieri Julio Cesar e bëri të njëjtin gabim si ne Meazza duke mos e kapur topin të cilin në mënyrë të mrekullueshme e plasoi në rrjet Mario Gomez për të barazuar shifrat (21’).

Robben ishte i përfshirë edhe në golin e dytë të Bayernit pasi ai ishte asistues te Thomas Mueller, i cili me mjeshtri kaloi vendasit në epërsi (31’).

Pa u mbyllur pjesa e parë, bavarezët kanë mundur të shënojnë të paktën edhe dy gola, mirëpo për fat të Interit, goditjet e Gomez dhe Robben nuk përfunduan në rrjet.

Humbja e rasteve i kushtoi Bayernit, pasi që pas një kombinimi të Coutinho dhe Eto`o, me një supergoditje nga distanca, Wesley Sneijder barazoi rezultatin (63’).

Kampioni në fuqi i kësaj gare tentoi deri në fund të ndeshjes të shënojë golin që e dërgonte në çerekfinale, dhe këtë e arriti përmes një goli të jashtëzakonshëm të maqedonasit Goran Pandev (88’).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›