Prelec: Veriut të Kosovës do t`i jepet autonomia
Drejtori për Ballkanin në Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Marko Prelec, është i bindur se veriut të Kosovës do t`i jepet një status i veçantë, e që do të ishte një autonomi më e gjerë.
Në një intervistë për mediat kosovare Prelec ka theksuar se ka gatishmëri për këtë zgjidhje edhe nga vetë kryeministri Hashim Thaçi.
“Do të ketë një lloj antonimie. Mendoj se kjo na pret në vitet e ardhshme, por ka edhe ndonjë mundësi që gjithçka të shkojë keq. Atëherë do të përsëriteshin skenat e dhunës apo do të krijohej ndonjë konflikt i ngrirë, siç është rasti në Lindjen e Mesme. Kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe”, ka thënë Prelec.
Sipas tij, lloji i autonomisë duhet të merret ndërmjet dy palëve, ndërkaq si shkëmbim, Kosova do të marrë njohjen e pavarësisë nga Serbia.
I pyetur në lidhje me dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Prelec ka theksuar se fatkeqësisht, do të zgjasë disa vite. Qëllimi është normalizimi i raporteve dhe njohje reciproke. Sipas tij, Beogradi preferon ndarjen e veriut.
“Palët mund të shkëmbejnë territoret nëse bihen dakort. Dialogu i filluar me presion të BE-së, do të prodhojë rezultate për çështje të lehta. Më vonë u vjen radha çështjeve të vështira”, ka thënë Prelec.