Interi ore decizive per Benitez Agjenti Nuk e takoj Moratin
Orë decizive për të ardhmen e Rafa Benitez. Në mëngjesin e djeshëm u përhapën zëra, sipas të cilëve largimi i Benitezit ishte i mbaruar, edhe kontraktualisht. Krisja e marrëdhënieve me teknikun e Interit kishte marrë fund. Sipas rezultateve të fundit, çështja nuk është mbyllur ende. Është e vërtetë që Masimo Morati është rikthyer dje nga Madridi, por shkoi në kryeqytetin spanjoll për biznese që nuk kanë lidhje me klubin zikaltër dhe jo për të takuar Manuel Garsia Kuilon, dhe jo menaxherin që Benitez kishte evokuar, duke folur në lidhje me përforcimet që nuk erdhën kurrë. Konfirmimi në këtë sens ka ardhur nga menaxheri i teknikut spanjoll, që zbuloi për “Ansa”-n: “Askush nuk më ka marrë në telefon dhe nuk kam parashikuar asnjë takim me Masimo Moratin. Benitez dëshiron të vazhdojë të bëjë punën e tij, sepse klubi duhet të përmirësohet”. Presidenti i klubit është larguar në mëngjes nga kryeqyteti spanjoll. Në Spanjë janë të sigurt: Morati po kërkon të rikthejë në Milano Zhoze Murinjon. Por Eladio Parames, zëdhënësi i trajnerit portugez, ka përgënjeshtruar një takim që presidenti i zikaltërve mund të kishte bërë me Murinjon në Madrid: “Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një kontakt në Madrid mes Zhoze Murinjos dhe Masimo Moratit, nuk do të kishte sens, ka thënë Parames. Te Reali i Madridit, Murinjo ka një kontratë dhe do ta respektojë. Deri në fund të sezonit? Besoj se është e vështirë, por në futboll nuk mund të thuhet kurrë: do të varet nga sezoni, nga klubi, por nuk është normale që Mou të dalë nga një projekt pas një viti të vetëm, nuk e ka bërë kurrë”. Por Inter-Benitez mund të përfundojë keq. Shkarkimi, tashmë thuajse i afërt i teknikut spanjoll, mund të përfundojë në gjyq. Problemi i madh mund të jetë kërkesa e parashikuar në kontratë prej 8 milionë eurosh nga ana e Benitezit, që Morati nuk dëshiron ta derdhë: dhe klubi po vlerëson nëse deklaratat e dhëna nga tekniku pas fitores në Abu Dhabi janë stimul për shkarkim të drejtë të trajnerit. Aksioni ligjor i klubit bazohet në një dëmtim të imazhit në natën e triumfit botëror, të provokuar në lidhje me prononcimet kundër Moratit dhe klubit. Avokatët janë në punë, presidenti bën tifozllëk për ta, pasi shkarkimi i Rafas do t’i kushtonte shtrenjtë. Interi synon, sikurse ka bërë në të kaluarën, Roberto Mançini. Në këtë sens, Benitez mund të ketë bërë një autogol të vogël, duke regjistruar vajzën në një shkollë në Liverpul, të cilën duhet të fillojë ta frekuentojë më 4 janarin e ardhshëm. Një tjetër alternativë e mundshme mund të jetë Leonardo, i cili është shumë i dashur për drejtuesin zikaltër. Por rikthimi i Murinjos duket se mbetet opsioni më i dashur i numrit një të zikaltërve.