Apolonia kryebashkiaku Zeqaj padit tifozet Shpifin
Kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, njëkohësisht edhe Presidenti i Apolonisë, reagoi dje ndaj protestave të tifozëve fierakë. Ai i quajti ata “pseudo-tifozë”, të cilët kanë filluar një fushatë shpifjesh dhe akuzash ndaj Apolonisë. Këto janë shpifje të ulëta ndaj modelit të futbollit fierak, madje kanë kaluar edhe në akuza e fyerje personale për aksionerët e saj. “Në kundërshtim me frymën e korrupsionit dhe dhunës që mbizotërojnë në kampionatin shqiptar, ne jemi duke punuar për të ndërtuar një model krejt tjetër, një model bashkëkohor, europian, ku përgatitja tekniko–profesionale dhe etika qytetare e drejtuesve dhe sportistëve janë dy elemente të domosdoshme për të merituar fanellën e Apolonisë. Ne kemi një strategji të zhvillimit të klubit, të miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe jemi duke punuar sipas kritereve”, tha kryebashkiaku. Zeqaj është treguar i prerë, ndërsa ka thënë se do të ndiqen penalisht ata persona që hedhin akuza të pabaza mbi bashkinë dhe drejtuesit e klubit. “Ashtu si nuk i trembem ndjekjes penale dhe padive për të cilat janë të lirë të gjithë ata që kanë akuza ndaj meje, dua të them se gjithçka do të çojë në rrugë ligjore. Do të padis të gjithë ata që po fyejnë, shajnë e që marrin nisma të kota”, u shpreh kryebashkiaku. Gjithashtu Zeqaj ka thënë se edhe në Këshillin Bashkiak relacioni mbi funksionimin e klubit Apolonia është shfaqur, por këshilltarët e djathtë duan ta nxijnë të vërtetën dhe të hedhin baltë mbi të.
Akademia e Futbollit, e cila është e vetme e këtij lloji në vendin tonë, ka përfunduar në vitin 2009. Ambientet e saj përfshijnë një sipërfaqe ndërtimi rreth 1.900 metra katrorë, të cilat përmbajnë ambiente akomodimi për ekipin e parë të klubit të futbollit Apolonia, dhomat e zhveshjes për ekipet e moshave, mensën, sallat e edukimit teorik, ambientet e ndihmës dhe zyrat e administratës së klubit të futbollit.