E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen rebelet KE vendos per Kokedhimen

Vetëm Tirana e Flamurtari nuk firmosin, vendimi pritet të merret në 2011

E ardhmja e kryetarit të Komisionit të Kategorisë Superiore, Koço Kokëdhima, në këtë post duket e komplikuar, pasi tashmë klubet që nuk e duan atë në drejtimin e organizmit që do të përgatisë terrenin për formimin në një të ardhme të shpejtë të Ligës Profesioniste të futbollit shqiptar është shtuar nga 7 në 9. Një gjë e tillë është verifikuar pas takimit të djeshëm të zhvilluar në ambientet e hotel “Rogner” mes FSHF-së dhe klubeve “rebele”, të cilat kërkojnë shkarkimin imediat të Kokëdhimës pas incidenteve në mbledhjen e fundit të komisionit. Megjithatë, në fund palët kanë gjetur një marrëveshje, në bazë të të cilës, kjo kërkesë të shqyrtohet nga Komiteti Ekzekutiv, i cili do të mblidhet vetëm vitin tjetër. Pas takimit konsultativ me tre përfaqësues të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, deklaroi se nëntë klube: “Vllaznia, Besa, Laçi, Skënderbeu, Dinamo, Shkumbini, Elbasani, Bylis dhe Kastrioti kanë nënshkruar një deklaratë për largimin e Kokëdhimës nga posti, që iu besua përpara fillimit të këtij sezoni. Në kuadrin e kërkesës sonë prej 7 klubesh për shkarkimin e kryetarit të komisionit, Koço Kokëdhima, u bashkuan dhe dy të tjerë. Ishte propozimi i parë i cili u mirëkuptua nga të gjithë dhe u firmos në prezencë të dy zëvendëspresidentëve dhe anëtarit të komitetit. Kemi mbështetjen edhe të një klubi, që sot (dje) nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje”, përfundoi Fushaj. Sipas pas gjasave, klubi i aluduar nga drejtuesi i Vllaznisë është Teuta. Sipas kësaj deklarate të fundit mbeten vetëm Tirana dhe Flamurtari, dy klubet e vetme të Superiores, të cilat nuk i janë bashkuar kësaj nisme, e cila ka bllokuar funksionimin e komisionit. Klubi i 24 herë kampionëve të Shqipërisë ka zgjedhur të mos firmosë peticionin, ndërsa drejtuesit e Flamurtarit nuk morën pjesë në këtë takim. Pas shumë debatesh dhe mbledhjeve të dështuara, presidentët e nëntë skuadrave elitare të futbollit kanë siguruar firmat e nevojshme për të vënë në lëvizje ekzekutivin e FSHF-se që është organi i vetëm që mund të shkarkojë presidentin e Komisionit të Superiores. Më në fund është arritur në një marrëveshje: Kjo deklaratë, e firmosur zyrtarisht nga nëntë klube do t’i kalojë Komitetit Ekzekutiv për ta shqyrtuar në mbledhjen e radhës. Pikërisht KE do të vendosë mbi fatin e Kokëdhimës në drejtimin e Komisionit, ku edhe u zgjodh me miratimin e të gjithë klubeve në maj të 2010, kohë kur Apolonia e tij (aktualisht e rënë në Kategorinë e Parë) ishte pjesë e Kategorisë Superiore. “Qëllimi i takimit ishte përmirësimi i punës së Komisionit të Superiores, që është një hallkë ndërmjetëse për disa vite drejt krijimit të Ligës Profesioniste. Mendoj se ky takim i sotëm ishte produktiv, konform të gjitha rregullave të funksionimit të FSHF-së dhe autoritetit të klubeve të Superiores. Dokumenti i firmosur nga nëntë klubet e Superiores do t’i kalojë në një kohë sa më të shpejtë KE-së dhe presidentit Duka, që me statut, i takon të thërrasë mbledhjen e radhës”, është shprehur zv/presidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi. Megjithatë, është e sigurt që KE mund të mblidhet vetëm në 2011.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›