E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi, për të thyer tabunë Napoli. Murinjo: Nuk luajmë për një pikë

Në dy sfidat e fundit që kanë luajtur në këtë stadium, zikaltërit kanë “koleksionuar” po kaq humbje, por tekniku portugez është optimist

Kampionët e Italisë nuk fitojnë në “San Paolo” që prej vitit 1997
Prej disa vitesh, Interi dhe stadiumi “San Paolo” nuk kanë një marrëdhënie të mirë. Për herë të fundit, zikaltërit kanë fituar në fushën e Napolit në vitin 1997, ndërsa gjatë dy sezoneve të fundit, kampionët e Italisë kanë koleksionuar po kaq humbje, me shifrat 1-0. Sinjali pozitiv për skuadrën e Zhoze Murinjos është se “vrasësi” i dy përballjeve të fundit, uruguaiani Marselo Zalajeta, është transferuar te Bolonja dhe sot nuk do të shkaktojë dëme të mëtejshme. Gjithsesi, trajneri portugez nuk preferon të flasë për kundërshtarin dhe mungesat e tij dhe përqendrohet vetëm tek ekipi i tij.
Edhe një herë, ai është shfaqur optimist, për të mbajtur lart moralin e Interit. “Nëse luajmë mirë, ndeshjen do ta fitojmë ne”, deklaroi në mënyrë të prerë Murinjo. Për zikaltërit, që vijnë pas barazimit të vuajtur 1-1 në fushën e Parmës, takimi me Napolin është i pari i një serie që do të përcaktojë fatet e sezonit. Ndeshjet e 1/8-ve në Champions League janë pranë, por tri pikët në mbrëmjen e sotme janë të nevojshme për të mbajtur larg Milanin dhe Romën, dy rivalet kryesore në garën për titull. Më pas vjen sfida në shtëpi me Sampdorian, ku është e domosdoshme të shmangen surprizat, në mënyrë që skuadra të përgatitet sa më mirë për supersfidën europiane kundër çelsit të Karlo Ançelotit. Kjo është arsyeja përse “Speciali” kërkon me çdo kusht fitoren kundër Napolit. “Interi nuk ka luajtur kurrë për të marrë vetëm një pikë dhe diçka e tillë nuk ka për të ndodhur asnjëherë, theksoi Murinjo. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje e vështirë, por kjo vlen për të dyja skuadrat. Nuk mendoj se statistikat që nuk flasin në favorin tonë kanë shumë vlera. Gjatë vitit të kaluar nuk luajtëm mirë në Napoli, nuk bëmë asnjë gjuajtje në portë dhe e merituam të humbisnim. Për sfidën e nesërme (sotme), kundërshtarët tanë kishin gjithë javën në dispozicion për t’u përgatitur, ndërsa ne në mesjavë luajtëm me Parmën. Megjithatë, jam i bindur se do të luajmë mirë dhe do të arrijmë të fitojmë”.
Por, misioni i zikaltërve nuk do të jetë i thjeshtë. Edhe pse Interit dhe Murinjos triumfi u nevojitet për të konsoliduar kryesimin në Serinë A, Napoli kërkon tri pikët për disa arsye. Pikë së pari, vendasit synojnë të qëndrojë në zonën Champions, por edhe për të shlyer humbjen 3-1 në fushën e Udinezes, disfata e parë nën drejtimin e trajnerit Valter Maxari, pas 15 rezultatesh pozitive. Kjo është arsyeja përse “timonieri” i napolitanëve nuk e ka fshehur entuziazmin për përballjen me Interin: “Po pres me padurim fillimin e kësaj sfide. Do të më pëlqente shumë që edhe unë të kisha mundësi të hyja në fushë dhe të luaja në këtë ndeshje”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›