E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekordi i Vllaznisë, fitorja e dytë radhazi

Në takimin tjetër, Apolonia ka “rrëmbyer” një pikë në fushën e Kastriotit. Sot, Tirana përballë provës me emrin Shkumbini

Kuqeblutë mposhtin 3-2 Skënderbeun dhe regjistrojnë ecurinë më të mirë sezonale
Vllaznia triumfon 3-2 me Skënderbeun dhe merr tri pikë që i japin skuadrës pak frymëmarrje në klasifikimin e Kategorisë Superiore. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për shkodranët, që edhe pse mund të duket e çuditshme, regjistrojnë ecurinë më të mirë gjatë këtij sezoni. Në fakt, në 21 javë të edicionit 2009-2010, kuqeblutë nuk kishin arritur asnjëherë që të merrnin 6 pikë në 2 ndeshje njëra pas tjetrës dhe jo më kot tabela tregon se ata janë në luftë për të mbijetuar në elitë. Fitorja kundër korçarëve të rinovuar, që prej mbërritjes së sponsorëve, trajnerit dhe lojtarë të rinj në merkaton e janarit, nuk ka qenë një shëtitje. Përkundrazi, Vllaznia ka vuajtur në “Loro Boriçi”, në një përballje që përveç shumë golave, ka dhuruar edhe emocione.
Të parët që kaluan në avantazh ishin pikërisht miqtë, që kur kronometri tregonte vetëm shtatë minuta lojë, shënuan me sulmuesin Enco Malindi. Por, reagimi i Vllaznisë nuk vonon dhe vetëm 60 sekonda më vonë, shkodranët rikthyen rezultatin në baraspeshë, falë një rrjete të mesfushorit Amarildo Belisha, i rikthyer në Shkodër pas aventurës te Besa dhe Flamurtari. Spektakli nuk është venitur nga golat e shpejtë, përkundrazi të dyja skuadrat kanë kërkuar gjatë gjithë kohës të shënojnë. Megjithatë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fraksionin e dytë të lojës. Në të 54-n, vetëm 9 minuta pasi trajneri Martini kishte bërë një rifreskim të taktikave të lojës, vendasit kalojnë në avantazh. Goli mban firmën e sulmuesit Sead Haxhibuliç, i afruar me shumë bujë nga Apolonia, që më në fund është “zhbllokuar” dhe realizon rrjetën e parë në Shkodër me 11-metërsh. Edhe pas këtij goli është përsëritur i njëjti skenar si në 45 minutat e para, vetëm se këtë radhë janë lojtarët e Skënderbeut ata që nuk kanë humbur kohë për të reaguar. Korçarët barazuan përkohësisht në të 58-n, me një supergol të Klevis Roshit, duke krijuar iluzionin se nuk do të dilnin të mposhtur nga fusha. Por, katër minuta më pas, ka qenë Ndriçim Shtubina ai që ka shfrytëzuar maksimalisht një pakujdesi të kundërshtarëve, duke shënuar golin e tretë për Vllazninë, që vulosi rezultatin final 3-2.Me këtë fitore, kuqeblutë qëndrojnë në vendin e nëntë, por ngjiten në kuotën e 25 pikëve dhe tashmë janë vetëm 2 pikë larg Shkumbinit të vendit të pestë. Gjithsesi, peqinasit kanë një ndeshje më pak dhe sot presin në fushën e tyre Tiranën. Një test shumë i vështirë për bardheblutë, që përveçse rrezikojnë eliminimin nga Kupa, kërcënohen edhe nga Laçi për vendin e tretë. Në takimin tjetër të luajtur dje, pas skandalit të trukimit të ndeshjeve, Apolonia ka gjetur pak qetësi, duke barazuar 1-1 në fushën e Kastriotit. Fierakët kaluan të parët në avantazh me Bërkiç, në të 18-n, por vendasit arritën të barazonin me golin e Abazajt (32’).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›