Vankuver, Lojërat XXI Dimërore hapen me zi
Tragjedia
Në ceremoni nuk mungoi spektakli, por të gjithë ishin të përqendruar te tragjedia e Nodar Kumaritashvili
Lojërat XXI Dimërore, “Vankuver 2010” startuan zyrtarisht. Megjithatë, në mënyrë të pashmangshme, ceremonia e hapjes u karakterizua nga dhimbja dhe zia për vdekjen e sportistit gjeorgjian, Nodar Kumaritashvili. Gjithçka ka filluar me flamurin të vendosur në gjysmështizë nga bashkëkombësit e tij, stadiumin në vaj dhe një minutë heshtje në kujtim të rrëshqitësit me slitë 21-vjeçar, ëndrra për medalje olimpike e të cilit u thye në mes në stërvitjen e fundit përpara garave. Ndarja nga jeta e Kumaritashvilit ka tronditur këtë eveniment, por edhe mbarë botën. Provat para nisjes së Olimpiadës rezultuan fatale për gjeorgjianin, i cili ndërroi jetë pasi u përplas në një shtyllë, me shpejtësinë 144 km/h. Kumaritashvili nuk u harrua, edhe pse ceremonia e hapjes së lojërave vazhdoi pa ndryshime në program, edhe pse tragjedia kishte ndodhur vetëm pak orë më parë. Spektakli ka nisur në sytë e 60 mijë të pranishmëve në stadiumin “B.C. Plejs” të Kanadasë dhe miliona telespektatorëve të ngulitur përpara televizorit. Vankuver 2010 është aktiviteti i tretë i këtij lloji që zhvillohet në shtetin amerikanoverior, pas Montreal ‘76 dhe Kalgari ‘88. Për tre orë, në skenë u ngjitën të gjitha shtresat, indianë, europianë, amerikanë, afrikanë, aziatikë, të rinj dhe të vjetër, por më të rëndësishmit ishin padyshim ata, atletët. Sportistët, që përfaqësojnë 82 vende në Olimpiadën Dimërore, janë pritur me duartrokitje. Momenti më kulmor ishte prezantimi i përfaqësueses së Gjeorgjisë. Një grup relativisht i vogël, që me shall të zi në qafë dhe lot në sy u futën në fushë, ndërkohë që të gjithë të pranishmit ishin ngritur në këmbë.
#