E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi përgatit përmbysjen ndaj Bajern Mynihut

SHKRUAN: Jeton Selimi 15-03-2011 12:28

Luis van Gal është i vendosur të largohet me nder nga Bajern Mynihu në fund të sezonit. Trajneri holandez tashmë është njoftuar se kontrata e tij do të ndërpritet para kohës nga gjiganti bavarez. Edhe pse udhëhoqi skuadrën drejt finales në Ligën e Kampionëve si dhe fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë në sezonin e kaluar, 59-vjeçari do të braktisë ‘Allianz Arena’-n, pas rezultateve dëshpëruese këtë edicion. Bajern aktualisht gjendet në vendin e pestë në ligë, me 19 pikë disavantazh ndaj liderit Borusia Dortmund. “Shpresoj të largohem nga ky klub nga dera kryesore, dua të largohem me krenari të palëkundur”, tha ish-trajneri i Holandës për të përditshmen sportive gjermane Bild. “Është me rëndësi për krenarinë time si trajner. Tashmë kam lënë pas vetes një vit të shkëlqyeshëm, por ende dua t’i arrij këto objektiva”, shtoi ai. Ekipi i Van Galit ndeshet me kampionin aktual të Europës, Inter, të martën dhe ka epërsi 1-0 nga ndeshja e parë në ‘Giuseppe Meazza’ dhe synon të kualifikohet në çerekfinale të garës. “Sigurisht se jam i dëshpëruar, më pëlqen kultura, i dua tifozët, por mendoj se është mirë për të dyja palët që të largohem. Kemi filozofi të ndryshme. Mendoj të pushoj për një vit e më pas të udhëheq përsëri një kombëtare. Do të ishte sfidë e mirë për mua, do ta konsideroja”, përfundoi Van Gal. Ndërkohë, sulmuesi i Interit, Goran Pandev, ka thënë se Bajern Mynih ka pika të dobëta në mbrojtje. Interi udhëton në ‘Allianz Arena’ nesër për ndeshjen e kthimit të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve, pasi zikaltërit u mposhtëm me rezultat minimal 1-0 ndaj ekipit të cilin e mposhtën në finalen e sezonit të kaluar. “Tre arsye se pse Inter do ta mposhtë Bajernin? Mirë, fansat tanë vërtet e meritojnë një fitore, ky ekip i ka qejf ndeshjet e mëdha dhe sigurisht ne jemi Inter. Ndeshja do të jetë si një finale, sikur ndeshja e vitit të kaluar në Madrid. Duhet të jeni në gjendje ta përsërisni atë rezultat të madh nëse dëshironi të luani për Interin”, ka thënë Pandev. Maqedonasi po ashtu ka treguar të metat dhe dobësitë e Bajernit. “Bajern Mynih mund të shkaktojë të gjitha llojet e vështirësive me sulmuesit e tyre. Megjithatë, ata kanë pikë të dobët në mbrojtje dhe ky është vendi ku synojmë t’i lëndojmë. Ne duhet të shënojmë një gol të hershëm për të kthyer presionin në ta”, ka shtuar më tej ish-sulmuesi i Lacios.

Në ndeshjen tjetër mes Mançesterit dhe Marsejës, ‘djajtë e kuq’ duket se do të kenë telashe. Menaxheri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, do të duhet t’ia dalë pa shërbimet e disa futbollistëve të cilët janë të dëmtuar para sfidës vendimtare. Me dëmtimet e Darren Fleçer, Majkëll Kerrik dhe Anderson, skocezi u detyrua që ta zhvendosë Uejni Runin në një mesfushë ndaj Arenalit të shtunën, me superyllin anglez që luajti edhe si sulmues edhe si mesfushor. “Unë kam shumë dëmtime për momentin dhe më duhen lojtarët. Nuk kam mundur ta rrezikoj as Gigs as Skols për Arsenalin për shkak të rëndësisë së ndeshjes të martën. Rajan luajti mirë për 28 minuta, kurse Skols me dhjetë minuta bëri po ashtu mirë, kështu që mendoj se ata do të jenë të gatshëm për të martën”, theksoi Ferguson.

Champions League

Sot

Bajern Mynih – Inter 20:45 (1-0)

Mançester – Marsejë 20:45 (0-0)

Nesër

Çelsi – Kopenhagen 20:45 (2-0)

Real Madrid – Lion 20:45 (1-0)

Shënim: Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›