E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi shkarkon Gasperinin, fatale humbja me Novarën

ITALI- Interi ka shkarkuar nga detyra trajnerin Xhan Piero Gasperini, pas nisjes tepër të keqe të sezonit në Superkupë, kampionat dhe në Ligën e Kampioneve. Zikaltërit kanë pësuar 4 humbje nga 5 ndeshjet zyrtare të zhvilluara deri më tani, nisja kjo më e keqe në 30 vitet e fundit. Vendimi për shkarkimin e trajnerit u mor të mërkurën në mesditë, vetëm pak orë pas humbjes 3-1 me Novarën.

Klubi zikaltër e bëri publike këtë me anë të një komunikate zyrtare, ku ish-trajneri i Xhenoas falënderohej për punën e tij. Shkarkimi i Gasperinit u duk diçka e mbaruar të martën në mbrëmje, pasi presidenti Masimo Morati deklaroi se ai nuk e ka më skuadrën në dorë. Mëngjesin e së mërkurës, ai u shpreh se nuk besonte që Gasperini do të qëndronte, ndërsa në mesditë erdhi edhe shkarkimi.

 “Më vjen keq, por janë rezultatet ato që vendosin gjithçka”, deklaroi Gasperini pas komunikimit të vendimit. Në tre ndeshjet e para në kampionat, Interi ka marrë vetëm 1 pikë, në barazimin 0-0 me Romën ditën e shtunë. Ndërkohë, në kompeticionet e tjera, zikaltërit u mundën nga Milani në ndeshjen e Superkupës dhe nga Trabzonspori në Champions League. Pas largimit të Gasperinit, emrat që shihen si favoritë për pankinën e Interit janë Klaudio Ranieri, Luis Figo, Delio Rosi dhe Valter Zenga.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›