E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi, tre emra në lojë për pasuesin e Leonardos

ROME-Brenda kësaj jave Interi do të ketë një trajner të ri. Ka qenë ky premtimi i drejtuesve zikaltër, të cilët nuk duan të humbasin më kohë për gjetjen e pasuesit të Leonardos, aq më tepër që duhet zhvilluar edhe merkatoja. Dalja jashtë loje e Sinisha Mihajloviç, pas deklaratës së bërë nga vetë serbi, ka bërë që në lojë të mbeten tre emra potencialë: Fabio Kapelo, Gus Hidink e Xhanpiero Gasperini. Ndërkohë, edhe Vilas Boas nuk është më një kandidaturë që prej ditës së djeshme. Shkak për këtë është bërë klauzola tepër e lartë që ai ka në rast largimi nga Porto. Ndërkohë, të komplikuara mbeten edhe dy kandidaturat e tjera, si Kapelo e Hidink, por presidenti Morati dëshiron të tentojë.
Kapelo
Bashkë me Gus Hidink, Fabio Kapelo mbetet një nga preferencat e mëdha të presidentit të Interit Masimo Morati. Të shtunën, Federata Angleze ka bërë të ditur se italiani do ta drejtojë kombëtaren e "Tre Luanëve" deri në Euro 2012, por nuk ka ndonjë klauzolë që ta pengojë Kapelon të largohet para kohe. Në fakt, largimi i teknikut italian do të bënte që anglezët të mbeteshin me një boshllëk të madh në pankinë në prag të Europianit. Por, në rast largimi nga Anglia, "Don Fabio" pretendon të paktën një kontratë dy vjeçare me klubin zi-kaltër. Një kusht që Morati mund t'ia plotësojë.
Hidink
Gus Hidink është një nga trajnerët më të njohur në Evropë, por për të marrë atë, Interit i duhet të mposhtë konkurrencën e fortë të Çelsit. Holandezi është i lidhur me kontratë me Federatën Turke, por Roman Abramoviç, i lodhur nga koha e gjatë që po marrin drejtuesit për këtë çështje, ka ndërmend ta prezantojë Hidink si trajner të Çelsit këtë javë. Ndërkohë, Interi është duke punuar për të marrë holandezin dhe oferta e zikaltërve duket më joshëse, pasi ata janë dakord që trajneri të jetë part-time në Milano. Duke qenë se deri në fund të eliminatoreve ka pak ndeshje, kjo do t'i lejonte Hidink të vazhdonte aventurën me kombëtaren turke, por ndërkohë të drejtonte dhe Interin, ashtu siç bëri tre vjet më parë në stolin e Çelsit.
Italianët
Ndërsa çështja e trajnerëve jashtë Italisë duket paksa e komplikuar, presidenti i Interit Masimo Morati nuk e ka braktisur ende pistën italiane. Xhanpiero Gasperini dhe Delio Rosi janë dy emrat më të lakuar për marrjen e drejtimit të zikaltërve, me ish-trajnerin e Xhenoas që duket i favorizuar. Si Gasperini, ashtu edhe Rosi, nuk janë të lidhur me kontratë me asnjë klub. Gasperini duket në avantazh në krahasim me ish-trajnerin e Lacios dhe Palermos, madje mes tij dhe drejtuesve zikaltër pritet të ketë një takim që sot.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›