E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi triumfon përsëri përballë Romës

Milano - Përballja midis Interit dhe Romës ka njohur edhe këtë herë si fitues ekipin e Interit. Ndeshja e luajtur mbrëmë për çerekfinalet e Kupës së Italisë është mbyllur me rezultatin 2-1. Interi bëhet kështu skuadra e dytë pas Sampdorias që kalon në gjysmëfinale.

Përballja e mbrëmshme ka dhuruar spektakël dhe emocione gjatë gjithë 90 minutëshit. Avantazhi për skuadrën vendase të Interit do të vinte që në minutën e 10-të me brazilianin Adriano. Ky gol do ta zgjonte Romën nga përgjumja, e cila arriti të rrezikonte disa herë portën e mbrojtur nga Toldo. Me rezultatin 1-0 do të mbyllej edhe pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë Roma e kërkon golin me ngulm, dhe e arrin atë në minutën e 60-të me Tadein. Gëzimi i romanëve do të zgjaste vetëm 2 minuta, pasi Ibrahimoviç shënon golin e dytë për Interin në një pozicion të dyshimtë jashtë loje. Pjesa e mbetur e takimit do të krijonte disa raste të tjera nga të dyja skuadrat, por pa arritur dot të shënojë asnjëra.

Vitet e fundit këto dy ekipe kanë qëndruar në krye të futbollit italian duke konkuruar njëra-tjetrën në kampionat dhe në kupë. Me këtë fitore skuadra e Interit del triumfuese edhe një herë nga përballjet me skuadrën kryeqytetase. Në ndeshjen gjysmëfinale skuadra e Interit do të ndeshet me atë të Sampdorias.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›