Internacionalja Socialiste pritet të diskutojë në Nju Jork krizën politike në Shqipëri
Kriza tashmë njëvjeçare mes shumicës dhe opozitës pritet të transferohet edhe në “Pallatin e qelqtë” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku do të zhvillohet mbledhja e Internacionales Socialiste. Sipas burimeve nga selia rozë, kreu i PS-së, Edi Rama, do të marrë pjesë në këtë takim përkrah personaliteteve si Jorgo Papandreu apo Hose Luis Zapatero, të cilët pritet të jenë pjesëmarrës në këtë mbledhje, ashtu si përfaqësuesit e Partisë Demokratike Amerikane.
Ditë më parë në Tiranë u mblodh Komiteti i Europës Juglindore i Internacionales Socialiste për të diskutuar mbi krizën politike në vend. Ky komitet i mbylli punimet më një rezolutë, e cila thekson se Internacionalja Socialiste i kushton vëmendje të veçantë krizës politike në Shqipëri. Në të u bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të lejojnë një transparencë të plotë për zgjedhjet e kaluara.
Komiteti vlerësoi se kriza politike dëmton rëndë përpjekjet e Shqipërisë për integrimin europian. Komiteti, në mbledhjen e organizuar në Tiranë, ka njohur hapat e përgjegjshëm të ndërmarrë nga Partia Socialiste si daljen nga greva dhe hyrjen në Parlament. Internacionalja Socialiste njeh dhe vlerëson angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri, ndërkohë që kërkohet bashkëpunim mes vendeve të rajonit për të arritur synimin e përbashkët: BE-në. Në fund të saj rezoluta shpreh mbështetjen e plotë ndaj Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj duke vlerësuar se reformat në Shqipëri janë thelbësore, ku përfshihet edhe transparenca e plotë e zgjedhjeve.
17 Qershor 2010