E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët, sot në Kuvend, kundër votimit të hapur të dekreteve presidenciale



Deputetët e Partisë Socialiste do të votojnë kundër votimit të hapur të dekreteve presidenciale për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Vendimi u zyrtarizua dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Zyra e shtypit në PS bën të ditur se grupi socialist vlerësoi se ndryshimet për Rregulloren e Kuvendit të ndërmarra në mënyrë të njëanshme bien ndesh me praktikat më të mira parlamentare europiane të rregulloreve të funksionimit të parlamenteve. Gjithashtu, deputetët socialistë e konsiderojnë këtë akt të maxhorancës një hap më shumë për thellimin e krizës politike drejt institucioneve kushtetuese, duke cenuar rëndë drejtpërsëdrejti pavarësinë e tyre. Grupi i PS-së e ka konsideruar veprimin e maxhorancës për ndryshimin e Rregullores si të papranueshëm. Deputetët socialistë diskutuan me shqetësim edhe mbi qëndrimin bllokues të maxhorancës për zgjidhjen e krizës politike, institucionale dhe ekonomike.
Drafti
Maxhoranca, ditë më parë, ka paraqitur draftin për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, e cila ka hasur në kundërshtinë e opozitës. Projektvendimi ka për synim paraqitjen e dy amendamenteve, të cilat synojnë të përmirësojnë veprimtarinë e Kuvendit në një prej funksioneve më të rëndësishme të tij, atë të marrëdhënies së Kuvendit me dekretet e Presidentit të Republikës, ndërmjet të tjerave edhe me dhënien e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ndryshimi i parë parashikon që dekretet e Presidentit të Republikës të votohen në formën e votimit të hapur. “Nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ndiqet një formë tjetër votimi. Votimi i hapur gjithashtu sjell dhe një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe gjithashtu siguron që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, sikundër një raport i tillë është vendosur për përbërjen e Këshillit të Ministrave ose për ministrat”, - shkruhet në relacionin që i bashkëlidhet projekt-propozimit të PD-së. “Amendamenti i dytë ka si synim të reflektojë një mangësi praktike të evidentuar, ku koha në dispozicion të Komisionit për Çështjet Ligjore të jetë më e gjerë për të mundësuar një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore”, - thuhet ne relacion.
Kundërshtimi
Partia Socialiste ka kundërshtuar votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, i cili, sipas saj, synon kontrollin politik të deputetëve dhe ndikimin në përzgjedhjen e emrave të këtyre dy gjykatave të rëndësishme. Kundërshtimi ka ardhur ditë më parë përmes një letre që kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i ka dërguar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. “Nuk është rastësi që ky propozim vjen në kohën ku Presidenti i Republikës ka sjellë disa dekrete për miratim dhe të tjera presin të vijnë. Në realitet ju kërkoni të përsëritni të njëjtin skenar si me rrëzimin e kandidaturës për Gjykatën Kushtetuese, jo më në bazë të kritereve profesionale e ligjore, por në bazë të urdhërimit politik të frymëzuar nga parime dhe ide që Gjykata Kushtetuese dhe mendimi i përparuar europian i konsideron të papranueshme për kohën dhe stadin e zhvillimit të Shqipërisë. Duke pasur frikë në moskontrollin politik të votave të deputetëve tuaj në kohën që opozita është në Kuvend, ju sillni propozime të tilla thellësisht antidemokratike që nuk ndihmojnë, por rrënojnë shtetin e së drejtës”, - është shprehur Ruçi në letër në emër të Grupit të PS-së.

Shalsi: “Qeveria të gjejë zgjidhje për krizën ekonomike, të dëgjojë ndërkombëtarët”

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, shprehu dje shqetësimin për krizën ekonomike, ndërkohë që qeveria deklaron se Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë të vendeve të Bashkimit Europian për nga zhvillimi ekonomik. “PE-ja shprehet e shqetësuar në të gjitha nivelet për ekzistencën e krizës dhe për gjetjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e saj. Nga ana tjetër, shqiptarët e paguajnë dhe po ndiejnë deri në palcë ekzistencën e krizës ekonomike, Sali Berisha nuk gjen rrugë tjetër më të mirë sesa ta fyejë popullin e tij duke u orvatur ta ngopë dhe t’i ofrojë lugën e zbrazur të gënjeshtrave përditë e më të mëdha”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar se “ndërkohë që nga Sali Berisha pritet zgjidhja e krizës së kutive të mbyllura që po degradon tashmë dhe ekonominë, ne si Shqipëri dalkemi në dhjetëshen e parë të Bashkimit Europian për nga zhvillimi ekonomik. Fakti është që Shqipëria e sotme përditë e më tepër po varfërohet, përditë e më tepër po bëhet më e papunë, përditë e më tepër po i vritet shpresa. Dhe faji për këtë nuk është i asnjë njeriu tjetër, përveçse i Sali Berishës”.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›