E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja nis rrugën drejt lavdisë



Spanja do të nisë fushatën e saj për titullin e parë botëror, duke synuar së pari nënshtrimin e Zvicrës, në ndeshjen hapëse të grupit H. Pasi triumfoi në mënyrë madhështore në Euro 2008, Spanja kërkon të jetë ajo superfuqia futbollistike e planetit, duke pasur as më pak dhe as më shumë objektiv të vetëm trofeun e Kupës së Botës. Skuadra e Vinsente del Boskes është e kompletuar dhe me eksperiencë, me lojtarë të kalibrit të lartë ndërkombëtar, të aftë të shkatërrojnë çdo pengesë që i del përpara.
Spanja do të ketë mundësi të tregojë formën e saj të shkëlqyer përballë Zvicrës si çifti i fundit që mbyll xhiron e ndeshjeve të para në grupe. Del Boske ia ka dalë të ketë të gjithë grupin në dispozicion, por ende ka disa dyshime të vogla te lojtarët kyç si Fernando Torres, Sesk Fabregas dhe fantazisti Andres Iniesta.Sulmuesi i Liverpulit, Torres është rikuperuar nga dëmtimi, por ndoshta mund ta nisë ndeshjen nga stoli. Andres Iniesta është gjithashtu në dyshim për formacionin startues pas dëmtimit të vogël në shkatërrimin 6-0 në miqësoren kundër Polonisë. Sesk Fabregas pasi mungoi në fund të sezonit me Arsenalin për shkak të dëmtimit në këmbë mund të jetë në mesfushën me pesë lojtarë me “Këpucën e artë” të Euro 2008-s, David Vija në linjën sulmuese. Zviceranët ia dolën të fitonin një vend në Afrikën e Jugut, pavarësisht humbjes shokuese me Luksemburgun. Gjithsesi, ata konsiderohen si jo favoritë në grup, duke pasur parasysh se Spanja dhe Kili kanë më shumë potencial. Trajneri Otmar Hitcfeld vuan nga dy dëmtime të rëndësishme të lojtarëve si Aleksandër Fraj dhe Valon Behrami, të cilët nuk do të jenë në formacion.Kapiteni Fraj ka një problem në kavilje dhe do të zëvendësohet në sulm nga Eren Derdijok, ndërkohë që mesfushori i Uest Hemit, Valon Behrami ka probleme në kofshë,

Gjyqtar: Edi MAILET
Ditëlindja: 19.10.1967
Kombësia: Sejshele
Profesioni: Koordinator i arbitrave
Arbitër ndërkombëtar që nha viti 2001. Ka gjykuar përballjen e tensionuar mes Algjerisë dhe Egjiptit.

SPANJA
Trajner: Vinsente del Boske
Kapiten: Iker Kazijas
Ylli i skuadrës: Fernando Torres
Vlera e lojtarëve: 565 mln euro
Numri i klubeve: 15 800
Numri i lojtarëve: 490 000
Viti i themelimit: 1903
Anëtarësimi në FIFA: 1904
Pjesëmarrje: 12
Trofe: 0
Bilanci: 49 N, 22 F, 12 B, 15 H

ZVICRA
Trajner: Otmar Hitcfeld
Kapiten: Aleksander Frei
Ylli i skuadrës: Aleksander Frei
Vlera e lojtarëve: 115 mln euro
Numri i klubeve: 1800
Numri i lojtarëve: 339 000
Viti i themelimit: 1895
Anëtarësimi në FIFA: 1904
Pjesëmarrje: 12
Trofe: 0
Bilanci: 26 N, 8 F, 4 B, 14 H

Media zvicerane: “Hitcfeld bëj Jogin”

Ndeshjen e parë në Kupës së Botës gjatë karrierës së tij të gjatë si trajner, Otmar Hitcfeld, nuk e pret vetëm me krenari e kënaqësi, por gjithashtu edhe me shqetësime. Kundër kampionëve të Europës dhe një prej skuadrave më favorite për të fituar titullin e kampionit të botës, Spanjës, trajneri i Zvicrës do të ketë katër mungesa. Kristof Spiher dhe Marko Streler, tashmë i kanë dhënë lamtumirën Botërorit, ndërkohë që kosovari Valon Behrami dhe kapiteni Aleksandër Fraj deri përpara kësaj ndeshjen në stadiumin e Durbanit ende nuk janë gati. “Hitcfeld bëj Jogin”, shkruante gazeta zvicerane “Blick”. Ish-trajneri i Bajernit të Munihut mund të aplikojë një sistem loje 4-2-3-1, me qëllim që të bllokojë pasimet e shkurtra e të shpejta të “mbretërorëve” spanjollë. Në vend të Behramit dhe Frajit ka të ngjarë që të luajnë lojtarët e Bundesligës, Pirmin Shvegler (Eintraht i Frankfurtit) dhe Trankuilo Barneta (Bajer Leverkuzen). Në formacionin fillestar priten të jenë edhe Gokhan Inler, Benxhamin Hugel dhe Gelson Fernandes me synimin për të ndërtuar një mesfushë të fuqishme. Gjithsesi, Hitcfeld ka dhe një plan “B”, që më tepër është një version mbrojtës me ndërtimi i një dige të gjerë që nis nga mesfusha shkatërruese. “Ne kemi fituar më shumë përvojë nga Euro 2008”, - tha mbrojtësi Filip Senderos. Hitcfeld e ka të qartë se me Spanjën skuadra e tij mund të pësojë gola, por edhe mund të marrë barazimin: “Lufta jonë është për vendin e dytë, dhe kjo ndaj Kilit. Në raport me Hondurasin jemi në favoritët”.

Një tragjedi e vogël sportive

Robert Vitek shënoi për Sllovakinë, Uinston Reid barazoi për Zelandën e Re në minutën e 93-të

Emri i Uinston Reidit do të kujtohet gjatë në “folklorin futbollistik” të Zelandës së Re, pasi lojtari nga Oqeania e Largët barazoi në kohën shtesë në barazimin 1-1 kundër Sllovakisë, duke i dhënë pikën e parë vendit të tij në finalet e Kupës së Botës. Sllovakia e Vladimir Vajsit ishte shumë pranë fitores së parë historike në finalet e para si një komb i pavarur, por Reid pas një goditjeje vdekjeprurëse me kokë i dhuroi formacionit të tij një pikë dramatike në “grupin e vdekjes”, atë F. Kur kronometri shënonte minutën e 93-të, Sllovakia ishte në avantazh të një goli dhe kryesimit me pikë të plota, mbi favoritët e grupit, Italinë dhe Paraguain, falë golit me kokë të Robert Vitek në minutën e 49-të. Por, Reid kishte ide të tjera në kohën e shtesë teksa u ngrit si një “avion” mbi mbrojtësit sllovakë duke shënuar për Zelandën e Re , në një rikthim të paharrueshëm pas 28 vitesh mungesë në Kupën e Botës.
Të katër ekipet e grupit F, Italia, Paraguai, Sllovakia dhe Zelanda e Re kanë nga një pikë, e për më tepër golaverazh të barabartë: 1-1, duke lënë gjithçka të hapur në ndeshjet e dyta dhe të treta në grup. Në ndeshjen e ardhshme, Zelanda e RE do të përballet me kampionen në fuqi, Italinë, ndërkohë që Sllovakia do të luajë kundër Paraguait, që barazoi 1-1 me Italinë të hënën në mbrëmje. Sllovakët nuk e fshehën zhgënjimin pas ndeshjes kundër Zelandës së Re, këtë të fundit barazuan pikërisht në minutën e fundit shtesë (93’). Trajneri Vladimir Vajs evokoi se kishte qenë dëshmitar në një “tragjedi të vogël sportive”, ndërsa golashënuesi i Sllovakisë, Robert Vitek, tha se ai “përjetoi një ëndërr të keqe”. Vladimir Vajs: “Kjo është një tragjedi e vogël sportive të pësosh gol në minutën e fundit. Ne ishim ekipi më i mirë në fushë. Më vjen keq që shpërdoruam shumë raste”. Robert Vitek : “Jam i lumtur që shënova golin e parë në Kupën e e Botës në historinë e vendit tim, por e përjetova të shoqëruar me një ëndërr të përfunduar keq”.

Herbert: “Një pikë historike”

Trajneri i Zelandës së Re, Riki Herbert, e konsideroi barazimin dramatik me Sllovakinë si rezultatin më të madh të arritur në historinë e futbollit të vendit të tij. Uinston Reid i dha në kohën shtesë një pikë të madhe Kombëtares së tij, duke barazuar golin e sllovakut Robert Vitek në minutën e 50-të. Zelanda e Re fitoi gjithashtu pikën e parë në finalet e Kupës së Botës.
Herbert: “Luajtëm kundër një ekipi të renditur më lart në FIFA. Ne jemi shumë, shumë krenarë. Mund të them se ky është rezultati më i mirë i të gjitha kohërave. Kurrë nuk kishim marrë një pikë më parë në Kupën e Botës”. Zelanda e Re ka marrë pjesë për herë të parë në “Spanjë 1982”, por i humbi të gjitha ndeshjet.

16 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›