E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: “Rama ka shpërdoruar taksat e qytetarëve të Tiranës”



Partia Demokratike akuzoi dje kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se ka shpërdoruar taksat e qytetarëve për të paguar pjesëmarrësit në mitingje. Zëdhënësja Erla Mëhilli theksoi se Rama duhet të japë llogari për çdo qindarkë të grabitur. “Këto ditë, Edvin Kristaq Kriza dhe pinjollët e Bllokut u kapën me presh në duar pasi kanë vjedhur dhe shpërdoruar taksat e qytetarëve të Tiranës për të paguar mitingashë, për të paguar ujin dhe ushqimet e kampingut 19-ditor para Kryeministrisë apo shpifjet dhe deklaratat raciste kundër shqiptarëve, ndërkohë që nga ana tjetër keqpërdorin mediat e lira të vendit me dokumente të falsifikuara, në të cilat njeriu që jeton dhe është i mbrojtur vetëm me kultin e armikut, nxori dhe ish-kryetarin e Partisë Socialiste si sekretar të Partisë Demokratike”, - u shpreh Mëhilli. Sipas saj, “Edvin Kristaq Kutia duhet të japë llogari për çdo qindarkë që u ka grabitur qytetarëve të Tiranës dhe se të gjitha mekanizmat ligjorë do të përdoren për të të dhënë përgjigjen që t’i meriton si shtyllë kryesore e korrupsionit në Shqipëri”.

Ekspertët ligjorë bëjnë thirrje për fillimin e punës për reformën zgjedhore

Në përfundim të sesionit parlamentar dhe kohës kur Presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale, ekspertët bëjnë apel për të nisur ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Dy ish-drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume dhe Çlirim Gjata, deklarojnë se po u afrohemi limiteve për të ndërhyrë në ligjin e zgjedhjeve në mënyrë që në vendoret e 2011-s të mos përsëriten skenarët që kanë karakterizuar proceset elektorale në Shqipëri gjatë 20 viteve. “Është e domosdoshme që klasa politike të mos merret vetëm me çështjen e krizës që akoma nuk po e zgjidhin dot. Fillimi i punës pas pushimeve duhet të përkojë në të njëjtën kohë me fillimin e punës për reformën zgjedhore në përgatitje të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Në të kundërt, situatat do të përsëriten”, - tha Kume. “Gjithmonë ka qenë problematike arritja e kompromiseve politike dhe dalja e Kodeve Zgjedhore apo ndryshimeve të kodeve zgjedhore në momentin e fundit. Kulmi ishte në 2007-n, 3 javë e gjysmë ne patëm mundësi që të përgatitnim zgjedhjet në atë kohë. Prandaj, në qoftë se do të bëhet, të bëhet sa më shpejt”, - ka komentuar Gjata.

Komisioni i Ligjeve përfshihet në debat për disa nene të ligjit “Për faljen”

Maxhoranca dhe opozita, në Komisionin e Ligjeve nuk kanë mundur të gjejnë konsensus gjatë diskutimit për çdo nen të projektligjit për faljen. Palët ndahen prerë të rruga që duhet të ndjekë kërkesa e të dënuarit për të mbërritur në tryezën e kreut të shtetit. Në projektin e qeverisë, kërkesa i drejtohet ministrit të Drejtësisë, por shmangia e Presidentit sipas të majtëve është shkelje e Kushtetutës. Amendamenti i paraqitur nga Partia Socialiste parashikon shmangien nga falja e Presidentit edhe të personave juridikë. Diskutimi u shoqërua edhe me momente tensioni; pikërisht për shkak të kësaj klime u vendos shtyrja e mbledhjes për javën tjetër. Drafti nuk do të votohet në seancën e kësaj të enjte. Aktualisht Presidenti e ushtron të drejtën e faljes mbi një ligj që është në fuqi që para vitit 1990.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›