Internet pa TVSH, gjobitet 1 milion euro Albtelekomi
Ministria e Ekonomisë ka nisur dje procedurat për vënien e një gjobe prej 1 milion eurosh ndaj kompanisë së telefonisë fikse, Albtelekom. Sipas një njoftimi zyrtar dje, Ministria e Ekonomisë ka marrë një numër të madh ankesash nga qytetarët shqiptarë, në adresë të Albtelekomit. Sipas tyre, kjo kompani ka mungesë transparence në mënyrën e faturimit të padetajuar të shërbimit të telefonisë fikse, si dhe praktikën e mospërfshirjes së TVSH-së në çmimet e ofrimit të shërbimit internet. METE ka vërejtur se operatori Albtelekom është përsëritës në praktikat e tij antiligjore në dëm të konsumatorëve shqiptarë, duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili në pikën 3 dhe 4 të nenit 40 parashikon se “faturat për shërbimet e telekomunikacionit, shpërndarë konsumatorit, duhet të përmbajnë informacion të plotë për listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar”, si dhe “faturat e paraqitura konsumatorit, duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar”. Ndërkohë që, përveç telefonisë fikse, abuzime ka dhe në shërbimin e ofruar për internetin. Ligji parashikon që në rastin e një ftese për blerje, siç është ai i ofrimit të shërbimit të internetit, konsiderohet si element thelbësor çmimi, i cili është çmimi përfundimtar i mallit, përfshirë edhe TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera. Albtelekom, në kundërshtim me këtë ligj, ka fshehur vlerën e TVSH-së në tarifat e ofruara për shërbimin e internetit. Ministri i METE-s, Nasip Naço, duke pasur si prioritet mbrojtjen e konsumatorit, u ka kërkuar strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit që të merren të gjitha masat në kuadër të ligjeve përkatëse. Nga ana e saj, METE ka nisur të gjithë materialin e nevojshëm dhe ankesat në adresë të Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit. Bazuar në këto të dhëna, METE kërkon nga Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit zbatimin me përpikëri të ligjit, i cili në këtë rast parashikon një gjobë prej rreth 1 milion dollarësh për operatorin Albtelekom.
Albtelekom: Nuk e kuptojmë vendimin për gjobën
Kompania e telefonisë fikse reagon për gjobën e lajmëruar nga Ministria e Ekonomisë. “Albtelekom dhe Eagle Mobile, menjëherë pas privatizimit filluan investimet për modernizimin e telefonisë fikse dhe gjithashtu ngritën nga zero një operator celular”, - shprehet kompania në deklaratën zyrtare. “Në rrjetin tonë teknologjik janë investuar më shumë se 150 milionë euro për të sjellë më shumë shërbime cilësore, oferta dhe mundësi për opinionin publik shqiptar”, - thuhet me tej. “Gjendja në Albtelekom në kohën e privatizimit ishte shumë problematike për sa i përket teknologjisë, sistemeve të faturimit, shërbimeve dhe ofertave. Kjo ishte mjaft e qartë dhe dëshmohej nga numri i madh i abonentëve të telefonisë celulare, ndërsa abonentët e telefonisë fikse ishin të pakënaqur me shërbimet e Albtelekomit në atë kohë. Por në katër vitet e fundit, kompania Albtelekom ka rinovuar çdo pjesë të saj, duke lidhur Shqipërinë me botën për sa i përket shërbimit të internetit, si dhe solli çmime më të mira dhe shpejtësi të lartë interneti. Kjo dëshmohet qartë nga rritja e numrit të abonentëve. Me sistemin e saj të ri që u krijua në Albtelekom pas privatizimit, çdo ankesë e ardhur nga klientët është hetuar me kujdes nga kompania. Tashmë ne po rrisim çdo ditë e më shumë kënaqësinë e konsumatorit duke marrë masa profesionale. Për këtë arsye, ne e kemi të vështirë të kuptojmë deklaratën e fundit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE)”.