Mbikëqyrja bankare, diskutohen sot kandidaturat politike
Dy nga tri kandidaturat politike për Këshillin e Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë do të diskutohen sot në komisionin kuvendor të Ekonomisë. Do të referojnë para deputetëve kandidati i PD-së, Dhori Kule dhe ajo e LSI-së, Ela Golemi, ndërsa Ermelinda Meksi do të referojë në një mbledhje tjetër të Komisionit, pasi më parë duhet të japë dorëheqjen si deputetë e PS-së. Por, ndryshe nga herët e tjera është bërë një kompromis nga PD-ja dhe PS-ja për përfshirjen e kandidaturave politike në mbikëqyrjen bankare. Gjatë Konferencës së Kryetarëve një ditë më parë, Astrit Patozi i kërkoi opozitës të propozonte kandidaturën e saj për një nga tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, që janë në kompetencën e zgjedhjes nga Kuvendi. Në mbledhjen e grupit, kreu Gramoz Ruçi diskutoi me të pranishmit për të propozuar një kandidaturë të mundshme, ndërkohë që deputetja Ermelinda Meksi shfaqi dëshirën për t’u vetëpropozuar. Ndërsa Partia Socialiste pritet që të përfaqësohet në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me Ermelinda Meksin, Partia Demokratike ka përzgjedhur si kandidat rektorin e UT-së, Dhori Kule, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, Ela Golemin. Për Kulen dhe Golemin nis sot diskutimi me referimet përkatëse në komisionin e Ekonomisë. Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë prej 9 anëtarësh, duke përfshirë edhe Guvernatorin, është në proces rinovimi mandatesh për 6 nga anëtaret. Këtë muaj pritet të finalizohet zgjedhja e guvernatorit të ri, i cili ka shumë gjasa të jetë ai aktuali, Ardian Fullani, për shkak se është deri tani kandidatura më favorite nga anëtarët e propozuar.