E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i sigurimit të automjeteve, rritet korrupsioni

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-11-2011 12:33

Liberalizimi i tregut të sigurimit të automjeteve cilësohet nga agjentët e këtyre kompanive si joefikas, si për qytetarët, ashtu edhe për kompanitë

Dështon ligji i liberalizimit të tregut të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve. Liberalizimi i tregut të sigurimit të automjeteve konsiderohet nga agjentët e këtyre kompanive si një mekanizëm që po ndihmon korrupsionin e mëtejshëm në këtë sektor. Nga një vëzhgim që bëri gazeta “MAPO” ditën e djeshme, pavarësisht se pas implementimit të ligjit për liberalizmin e tregut çmimet e siguracioneve TPL të detyrueshme të automjeteve janë ulur 30-40 %, agjentët operojnë me çmime edhe më të ulëta për të thithur sa më shumë klientelë, duke ndikuar negativisht edhe tek qytetarët. Pasi ata punojnë me dokumentacion paralel duke plotësuar siguracionin për një automjet me motor me më pak cm kubikë, që kushton më lirë, në vend që të raportojnë në sistem një siguracion TPL për një automjet me cm kubikë real. Gjë që në rast aksidentesh sjell probleme, duke i hequr mundësinë automjetit të dëmtuar të përfitojë nga sigurimi. Në fakt, keqfunksionimin e ligjit e faktuan edhe të dhënat zyrtare për këtë sektor në arkën e të ardhurave. Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për 9-mujorin tregojnë për një rënie të ardhurash nga sigurimi i TPL-ve që nga implementimi i ligjit për liberalizimin e tregut të sigurimit të automjeteve. Në këtë mënyrë, të ardhurat nga ky sigurim për 9-mujorin pësuan një rënie me 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto të ardhura zënë 30% të tregut, nga 40% që zinin një vit më parë. Aktualisht, të gjithë zotëruesit e një mjeti motorik, pavarësisht kategorisë, paguajnë siguracionin TPL të makinës së tyre, sipas fuqisë së motorit të tyre dhe sipas një tabele të përcaktuar nga vetë kompania konform ligjit në fuqi. Për shembull, një shtetas shqiptar që zotëron një autoveturë me fuqi motorike mbi 1500 kubikë, për të lëvizur në territorin shqiptar paguan për të prerë këtë siguracion 4800 lekë, ndërsa për një autoveturë me një motor deri në 1600 kubikë, 5400 lekë. Këto tarifa ndryshojnë me nga 1000-1500 lekë për çdo kompani sigurimesh. Por, nga një vëzhgim që bëri ditën e djeshme gazeta “MAPO” në agjencitë e sigurimit të makinave, rezultoi sipas zërit të agjentëve se në këtë treg ka abuzime si nga agjentët, po ashtu edhe nga klientët që posedojnë një mjet motorik. Sipas tyre, arsyeja është fitimi në lekë dhe thithja e klientelës nga ana e agjentëve duke ulur çmimet. “Ne luajmë me uljen e çmimeve të policave të sigurimit. Ne paguhemi me komision dhe komisioni ynë del nga pagesa e primit, që është paga neto e siguracionit”, - u shpreh një nga agjentët e siguracionit të automjeteve. Sipas tyre, abuzime të tilla vihen re çdo ditë në procesin e prerjes së policave të sigurimit, pavarësisht liberalizimit të tregut, që sipas tyre ka dështuar si ligj, edhe pse ka shumë pak kohë që ka hyrë në fuqi. Sipas agjentëve të sigurimit të automjeteve, ligji ka nxitur më tej korrupsionin në këtë sektor. “Por nga ana tjetër, mungon edhe kultura e sigurimit në tregun shqiptar. Edhe pse tregu ynë është më i liri në rajon për sa i përket sigurimit të makinave, klientët tanë kërkojnë ulje. Madje ata abuzojnë me veten duke kërkuar, për shembull, të sigurojnë një kamion për një autoveturë me motor 1600 kubikë. Dhe në rast aksidenti, ata nuk përfitojnë asnjë dëmshpërblim, pasi fatura që posedon klienti me faturat e agjencisë së sigurimit nuk korrespondojnë. Ka pasur mjaft raste të tilla”, - u shpreh një tjetër agjent sigurimi makinash. Sipas tij, abuzimet mund të vihen re vetëm në rast aksidentesh. Agjentët theksuan se abuzimet nga ana e klientëve vijnë nga mungesa e kulturës dhe jetëgjatësia e vogël e këtij tregu në Shqipëri dhe mbi të gjitha, sipas tyre duhet të gjendet një mekanizëm real kontrolli nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të rregulluar konkurrencën e ndershme në këtë treg dhe mirëfunksionimin e tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›