E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interneti, Kina: Marrëdhënia me SHBA në rrezik

Pekini nuk e ka mirëpritur ndërhyrjen e sekretares amerikane të shtetit Hillari Klinton kundër censurës në internet, veprim i ndërmarrë së fundi nga qeveria kineze kundrejt motorit të kërkimit Google. Përmes një njoftimi zyrtar në faqen e internetit, ministria e Jashtme kineze i përcakton “të dëmshme” ndërhyrjet amerikane për raportet mes dy vendeve.

“I kërkojmë Shteteve të Bashkuara të respektojnë faktet dhe t’i japin
fund përdorimit të të ashtuquajturës liri në internet për të bërë akuza
pa bazë. Interneti në Kinë është i hapur dhe jemi vendi më aktiv në
zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit. Në fund të vitit të kaluar qytetarët
kinezë të internetit (netizens) kapën shifrën e 384 milionë, ndërsa janë
3.86 milionë faqe interneti dhe 180 milionë blogje. Pekini drejton
internetin në përputhje me ligjet e veta dhe praktikat ndërkombëtare”
përfundon njoftimi për shtyp i ministrisë së jashtme ndërsa shton se
shpreson që SHBA të respektojnë angazhimet e liderve përkatës për
zhvillimin te marrëdhënieve bilaterale.

Reagimi i Pekinit zyrtar vjen pas fjalimit të sekretares amerikane të
shtetit për politikën informatike pasi Google kërcënoi se do të tërhiqet
nga Kina për shkak të ndërhyrjeve të hakerave dhe censurës së shtetit
aziatik. Klinton i kërkoi Pekinit hetim “transparent dhe të thellë” në
lidhje me akuzat e motorit të kërkimit. “Vendet qe kufizojnë hyrjen e
lirë ndaj informacionit ose që dhunojnë të drejtat bazë të përdoruesve
të internetit rrezikojnë të qëndrojnë jashtë progresit të shekullit”
është shprehur Klinton, ndërsa citoi përveç Kinës edhe Tunizinë,
Uzbekistanin, Arabinë Saudite dhe Vietnamin ndërsa kërcënoi me ‘pasoja’
ata që kërkojnë të kufizojnë lirinë në internet.

< I mëparshmi

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›