Interneti, fëmijët të rrezikuar nga pornografia
Përdorimi pa kriter i internetit nga fëmijët ka bërë që këta të fundit të jenë të rrezikuar edhe nga pornografia. Specialistët që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve shprehen se varësia ndaj internetit ose “facebookmania” po shndërrohet në një ndër kërcënuesit më të ashpër të të miturve. Larg syrit të prindërve dhe mungesa e një filtrimi të përmbajtjeve online, i bën të vegjlit dhe adoleshentët viktima të përmbajtjeve të dhunshme ose pornografike. Rastet e varësisë janë të shumta, po aq sa pasojat shëndetësore dhe psikologjike tek ata. Belioza Çoku, drejtuese e Qendrës së Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve, thotë se varësia e internetit sot është një ndër sfidat më shqetësuese për të miturit. Ajo shpjegon se “facebookmania” e fëmijëve është një ndër rreziqet më të mëdha për ta. Përveçse janë të pambrojtur, publikimi i të dhënave personale i bën të vegjlit viktima të mashtrimeve. Gjithashtu, ekspertët thonë se kur fëmijët përdorin internet të mënyrë të pakontrolluar, krijojnë modele të caktuara sjelljeje. Të dhënat në këtë rast tregojnë se 8% e tyre jo vetëm që kanë krijuar varësi, por kanë shfaqur depresion dhe sjellje të dhunshme te bashkëmoshatarët dhe familjarët e tyre.